Arsovska këmbëngul: Nuk do t’i takojë transportuesit privatë

Arsovska këmbëngul: Nuk do t’i takojë transportuesit privatë

Gazetar: Mefail Ismaili

Qyteti i Shkupit kategorikisht refuzon që të takohet me transportuesit privat për të ballafaquar faktet dhe për tu gjetur mënyra e zgjidhjes së problemit me borxhin i cili është mbi 1,5 milion euro. Në momentin kur me kërkesë të kryeministrit, transportuesit tërhoqën autobusët që të mundësohet takim për të biseduar, kryetarja e Qytetit të Shkupit deklaroi se nuk shohin arsye për tu ulur me ta. Madje sot kanë hapur edhe një shpallje për tre linja të tjera, 9-ën, 11-ën dhe 12-ën. Ndërsa afati për tu paraqitur transportuesit e interesuar është 17 janari. Në vijim është edhe shpallja për linjat 20 dhe 22 e cila do të zgjas deri në dhjetë janar. Por deri më tani nga Qyteti nuk japin asnjë informatë se sa aplikime ka për momentin. Por në shpalljet e publikuara theksohet se Qyteti ka nevojë për 48 autobusë dhe 103 shoferë.

Ndërsa kryeministri Kovaçevski deklarohet optimist. Ai thonë se javën e ardhshme do të mbledhin informatat që u nevojiten dhe do t’i ftojnë të tre palët në takim.

“Takim i tillë pres që të ndodhë dhe në atë takim fillimisht të informohemi se për çfarë problemi bëhet fjalë, për shkak se ne nuk e dimë për çfarë problemi bëhet fjalë mes transportuesve privat, NQP dhe Qytetit të Shkupit”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ndërsa transportuesit privat thonë se nuk duhet të lejohet edhe më tej sjellja e papërgjegjshme e autoriteteve të Qytetit të Shkupit.

“Supozoj se nëse edhe më tej vazhdohet dhe lejohet një sjellje e këtillë jo shembullore, jo përkatëse dhe johumane nga ana e kryetares ndoshta do të ketë aktivitet qytetar më të madh në të cilin grupe më të mëdha të qytetarëve, pasi ta dëgjojnë të vërtetën do të paraqiten si të shqetësuara dhe do të ndërmarrin ndonjë aktivitet, do të na japin mbështetje dhe do të inkuadrohen në atë që e kërkojmë”, u shpreh Lenin Jovanovski, “Slloboda prevoz”.

Këshilli i Qytetit të Shkupit në seancën e mbajtur disa ditë më parë, e obligoi kryetaren Danella Arsovska si dhe Ndërmarrjen për Qarkullim Publik në Shkup të dorëzojnë informata për situatën aktuale me transportin publik, gjendjen në NQP si dhe mënyrën e organizimit dhe realizimit të transportit publik në kryeqytet. /Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button