Arsyetohet Kostovski: Premtimet peng i kaosit të trashëguar në komunë

Gazetar: Melihate Rustemi

Kreu i Butelit, Darko Kostovski përfundimisht u shfaq në opinion për të pranuar se premtimet e tij mbeten ende pezull, për shkak të kaosit që ka gjetur në komunë, shkruan Alsat.

Kostovski kishte premtuar se që nga dita e parë do ti shndërronte zyrat e komunës në ambulancë, një shërbim i shumëkërkuar nga qytetarët e kësaj komune, por pas më shumë se 2 muajsh, tha sot se ai nuk ka hequr dorë nga premtimet, por kërkoi kohë deri në stabilizimin e gjendjes së komunës.

“Kur të hasni në kaos siç ishte Komuna e Butelit atëherë fillimisht dëshironi ti zgjidhni problemet themelore. Paralelisht me këtë ne kemi arritur të investojmë 40 milionë denarë dhe kemi punuar në këtë periudhë, jo vetëm të zgjidhim kaosin. Jemi detyruar të ballafaqohemi me disa nevoja elementare në fillim prandaj ai premtim është shtyrë pak por jo të mos realizohet. Për kohë të shkurtër do të keni përgjigje lidhur me këtë çështje dhe çdo fjalë e dhënë para zgjedhjeve do të realizohet gjatë mandatit tim”, deklaroi Darko Kostovski, kryetar i Komunës Butel.

Përveç premtimit për ambulancën, kreu i Butelit ka dhënë edhe shumë premtime të ngjashme në interes të banorëve të kësaj komune. Mirëpo, Kostovski deri tani ka qenë kryesisht i mbyllur për media duke informuar për aktivitetet e tij vetëm përmes postimeve në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button