ASH këmbëngul se rezultati i censusit është i manipuluar

ASH këmbëngul se rezultati i censusit është i manipuluar

Gazetar: Adrian Kerimi

Aleanca për Shqiptarët vlerëson se mosdefinimi i popullsisë jo rezidente me komuna dhe adresa përkatëse rrezikon që shqiptarët të humbasin të drejtat kolektive në disa komuna, shkruan Alsat.

Sipas tyre, në Kërçovë shqiptarët rrezikojnë të humbasin përdorimin e flamurit kombëtar.

Nga kjo parti i bëjnë thirrje Entit të Statistikave që të dalin me të dhëna të hollësishme për popullsinë jo rezidente.

“Mos publikimi i vendbanimit të personave nga diaspora, kanë luajtur rol negativ në paraqitjen e përqindjes reale të bashkësive etnike në vend. Me këtë rrezikohen të drejtat kolektive që gëzonim deri tani. Në Kërçovë përqindja e shqiptarëve ka rënë nën 50% dhe me këtë rrezikohet përdorimi i flamurit kombëtar. Rezultatet e regjistrimit janë të manipuluara dhe këtë e dëshmojnë faktet e pakontestueshme për të cilat autoritetet do të duhet të japin sqarim”, tha Naim Bajrami, Aleanca për Shqiptarë.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani i pyetur për numrin e vogël të diasporës së regjistruar në SHBA, Kanada dhe Australi tha se kjo është përgjegjësi e atyre që bën thirrje për bojkot.

“Mendoj që thirrja për bojkot ishte faktori kryesorë për këto pak të regjistruar në disa shtete të caktuara. Këtë e kishim ndje gjatë procesit të regjistrimit dhe mendoj se e informuam opinionin. Që atëherë diplomatët tanë na kishin njoftuar se thirrja për bojkot po jep rezultatet, posaçërisht në Kanada, SHBA dhe Australi dhe për fat të keq sot kjo reflekton në numra”, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit, partitë parlamentare dolën me rezervat e tyre mbi besueshmërinë e të dhënave.

VMRO-DPMNE-ja e vlerësoi si regjistrim të pakompletuar, Lëvizja Besa e vlerësoi si pazar politik mes LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa Aleanca për Shqiptarët përveç 132 mijë të imputuarve, kërkoi llogari për edhe përkatësinë etnike të personave të regjistruar si maqedonas-mysliman. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button