Një grup nëpunësish shtetëror po e minojnë marrëveshjen e mundshme Shkup-Sofje

Një grup nëpunësish shtetëror po e minojnë marrëveshjen e mundshme Shkup-Sofje

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani denoncon celula dhe struktura brenda institucioneve shtetërore të cilat punojnë në prishjen e marrëveshjes së mundshme mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Osmani sot në takimin me gazetarët dha një rast konkret, i cili sipas tij ka për qëllim të mbaj të hapur çështjen mes Shkupit dhe Sofjes dhe të bllokojë proceset integruese në rajon.

“Këtë javë, nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur në Bullgari duke thënë se është i panevojshëm i gjithë ky angazhim sepse shumë shpejtë do të shkohet në zgjedhje, nuk do të arrihet asnjë zgjidhje. Njerëz në institucionet të cilët janë në linjën e njëjtë me ata të cilët i komentoi z. Petkov, pra njerëz të cilët do të mundohen ta mbajnë të hapur çështjen me Bullgarinë, ta pengojnë procesin e integrimit Evropian me qëllimin që ky rajon të mbetet platformë e ndokujt për të realizuar qëllimet e veta”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Lidhur me shpalljen non-grata të pesë diplomatëve rus në vendin tonë dhe në të njëjtën kohë denoncimin e bërë nga kryeministri bullgar Kiril Petkov për detektimin e bashkëpunëtorëve rus brenda shërbimit inteligjent bullgar të cilët kanë punuar po ashtu për shkatërrimin e procesit të bisedimeve, Osmani tha se aktiviteti i diplomatëve rus në vend përkon me qëllimet e agjentëve në Bullgari.

“Aktivitetet që kanë ndërmarrë diplomatët rusë në drejtim të nxitjes edhe të faktorëve politikë dhe jo politikë brenda mund edhe të interpretohen ashtu sepse kanë qenë në të njëjtën drejtim për të krijuar një atmosferë pakënaqësie në vend që unë kujtoj se mund të ndërlidhet lirshëm edhe me aktivitet e ngjashme që janë ndërmarrë edhe në Bullgari”, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Sa i përket kapërcimit të dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, Osmani tha se ka progres në negociata por akoma herët të flitet për marrëveshje. Një pakt mes Shkupit dhe Sofjes sipas numrit “një” të diplomacisë duhet pranuar edhe nga qytetarët dhe opozita, që më pas të mund të konstatohet se është arritur marrëveshje me Bullgarinë./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button