Ashensori dhe shkallët elektrike në sheshin Skënderbeu, vazhdojnë të mos jenë funksionale

Ashensori dhe shkallët elektrike në sheshin Skënderbeu, vazhdojnë të mos jenë funksionale

Gazetar: Mefail Ismaili

Ashensorët dhe shkallët elektrike të Sheshit Skënderbeu nuk janë funksionale që nga ndërtimi. Në to mund të shihen vetëm mbeturina. Në dëmtim e sipër është edhe pjesa e sipërme e sheshit, raporton gazetari i Alsat.mk, Mefail Ismaili.

Qytetarët thonë se investimi për ashensorë dhe mosfunksionimi i tyre është jonormale.

“Nuk funksionon asgjë këtu. Krejt mbeturina janë ato”, tha një qytetar.

“Mbeturina ka plotë. Sheshi është i mirë por nuk , mirëmbajtja nuk është mirë”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Sa i kam parë unë momentalisht nuk janë funksionale… Uroj t’i përdorim ndonjëherë”, tha një qytetar.

“As nuk i kemi par, tani e marr vesh që ka ashensorë”, deklaroi një qytetar.

“Nuk e kam vërejte, as nuk e di që paska ashensorë”, u shpreh tjetri.

“Që nuk janë funksional nuk është në rregull aspak… këtu nuk hip asnjëherë, nuk më pëlqej, edhe ato shkallët atje prapa asnjëherë nuk pastrohen, vjen era, vendi mund të jetë shumë i bukur sidomos për të dalë në mbrëmje por për fat të keq nuk mirëmbahet”, shtoi një qytetar.

Përveç ashensorëve, për një kohë të gjatë nuk funksiononin edhe fontana e sheshit. Nga Komuna e Çairit përgjigjen shkurt dhe thonë se së shpejti do të riparohen dhe do të jenë funksionale.
“Riparimi i fontanës është në fazë përfundimtare dhe e njëjta do të lëshohet në përdorim gjatë muajit korrik, po ashtu paralelisht bëhet edhe zëvendësimi i tarpit të dëmtuar me tarp të ri. Ashensori dhe shkallët elektrike kanë sistem funksional dhe për të njëjtat do të bëhet servisimi i rregullt që të mund t’i kemi të gjitha funksionale gjatë muajit korrik”, deklaruan nga Komuna e Çairit.

Hapja zyrtare e sheshit “Skënderbeu” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit u bë në shtator të vitit 2017./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button