Matka pa infrastrukturë

Matka pa infrastrukturë

Gazetare: Evi Shkopi

Turistët që vizitojnë Kanionin e Matkës hasin në dy ekstreme, bukurinë e jashtëzakonshme natyrore dhe infrastrukturën rrugore në gjendje katastrofale.

Liman Osman, udhëzues turistik po kthehej nga vizita në Matkë bashkë me grupin e turistëve. Ai thotë se vizitorët mahniten nga natyra e bukur e Matkës, por shprehen të befasuar se si institucionet nuk kanë bërë më shumë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

“Megjithatë, shërbimet e komunnës, shërbimet e qytetit, shërbimet shtetërore janë për askund. Asgjë nuk punohet. Asgjë nuk investohet. Të bëhen rrugë, të vendosen tualete, të ndalohet kalimi me vetura nëpër këtë rrugë. Kjo rrugë është për këmbësorë, e jo për “ mangupa” që shkojnë deri lart dhe thotë se ka dal për të ecur. Për personat me aftësi të kufizuara në rregull, por ajo duhet të jetë përjashtim.” tha Liman Osman- udhëzues turistik.

Turistët thonë se institucionet duhët të bëjnë më shumë investime për të tërhequr vizitorë nga shtetet tjera. Kalimin e rrugës për të mbërritur deri tek pena ata e shohin si sfidë.

“Është në gjendje të varfër. Por në Ballkan pothuajse të gjitha rrugët dytësore janë në gjendje të keqe. Pra, jemi mësuar me këtë fenomen. Nëse do që turistët të vizitojnë Maqedoninë e Veriut, duhet të bëhet investim për t’i tërhequr ata. Për mendimin tim kjo rrugë duhet të jetë vetëm për këmbësoret. Ka dy vend parkime më poshtë, ne atje e kemi lënë veturën tonë”, tha një turist.

Është në gjendje shumë të keqe. Gjithkund anësh rruga është e prishur dhe me gropa. Tani është thatë, por kur ka lagështi me siguri krijohet shumë baltë, tha një turist nga Holanda.

A ju pengon që veturat kalojnë këtej?
“Po, më pengon, sepse është rrugë shumë e ngushtë për të ecur dhe jo më për vetura”, u shpreh një turiste nga Zvicra.

As Qyteti i Shkupit dhe as Komuna e Sarajit nuk japin detaje konkrete nëse kanë gati ndonjë projekt, si duket i njëjti, sa kohë do të duhej për realizimin e tij dhe cila do të ishte shuma e nevojshme financiare për riparimin e rrugës.

“Punohet për zgjidhje rreth rrugës që shpie në Matkë. Dhe tre projekte të tjera për realizim të përbashkët.  Ja pra, konkrete. Për Matkën është projekti për riparimin në bashkëpunim të Qytetit të Shkupit me Komunën e Sarajit”, deklaroi Danella Arsovska- kryetare e Qytetit të Shkupit.

“Besojmë se shumë shpejt do të gjendet zgjidhje edhe për rrugën e Matkës, zgjidhje për riparimin e rrugës në tërësi. Plus është edhe një rrugë e vogël alternative që është e pa asfaltuar. Kur them shpejt kam parasysh pra brenda vitit kalendarik. Ne si komunë, si institucione kemi edhe parallogaritje se sa mund të kushtojë gjithë ai aktivitet infrastrukturor. Është në përpilim e sipër edhe projekti infrastrukturor. Sigurisht që në mungesë të mjeteve nuk kemi arritur”, u shpreh Blerim Bexheti- kryetar i Komunës së Sarajit.

Në shtator të vitit të kaluar Ministria e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nisur procedurën për miratimin e Ligjit për shpalljen e Kanionit të Matkës monument natyre. Projektligji pas vërejtjeve nga opinioni do të duhet plotësohet dhe më pas duhet të miratohet nga Qeveria para se të hyjë në procedurë në Kuvend, ku do të duhet të votohet./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button