ASK: Nuk shfrytëzojmë autorizime policore, punojmë në përputhje me Kushtetutën


ASK-ja mohon kategorikisht informacionet që nëpunësit e saj shfrytëzojnë bexhat e ish DSK-së dhe në kundërshtim me autorizimet e tyre ndalojnë dhe marrin në pyetje individë. Drejtori Viktor Dimovski tha se të gjithë të punësuarit e ASK-së i kanë kthyer bexhat. Nëse këtë nuk e kanë bërë një pjesë e ish të punësuarve të DSK-së të cilët mbetën në Ministrinë e Brendshme dhe nuk u bartën në ASK, për këtë Dimovski thotë se duhet të përgjigjet MPB-ja. Dyshimet se nëpunës të ASK-së, në kundërshtim me ligjin shfrytëzojnë edhe më tej autorizimet policore që më nuk i kanë për të ndaluar dhe marrë në pyetje individë, i publikoi një ditë më parë Alsat. Në përvjetorin e parë të punës së këtij institucioni, Dimovski numëroi të arriturat por edhe proceset e mbetura në gjysmë ose të parealizuara.

Një pjesë e aktiviteteve të planifikuara nuk janë realizuar plotësisht para së gjithash për shkak të rrethanave ku u gjendem, procesi i vazhduar zgjedhor dhe aktivitetet e jashtëzakonshme që erdhën nga pandemia botërore. Sido që të jetë, një ndër çështjet e rëndësishme që na mbetet është procesi i dislokimit të hapësirave. Kjo mbetet si detyrimi jonë për periudhën e ardhshme – tha Viktor Dimovski, drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare.

Dimovski, në takim joformal me gazetarët, sqaroi se objekti ku do të vendoset ASK-ja është gjetur por kanë mbetur pa përfunduar disa procedura administrative, para shpërnguljes. Ky institucion akoma funksionon në hapësirat e ish DSK-së, brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe pse tashmë është institucion në vete. Pas heshtjes prej disa javësh rreth pyetjeve të Alsat, ASK-ja sqaron se ka verifikuar më shumë kërkesa për nënshtetësi në krahasim me ish DSK-në. Sipas Dimovskit, për një periudhë 4 mujore janë verifikuar 8700 kërkesa për dhënie ose heqje nënshtetësie. Ai konfirmoi informacionet e Alsat, se rreth 1800 kërkesa të tjera janë akoma pa shqyrtuar.

ASK-ja vazhdon të angazhojë nëpunës të tjerë. Tani, sipas zv. drejtorit Arif Asani numri i shqiptarëve të angazhuar në këtë institucion është 17.5%. Kjo shifër është akoma larg normës kushtetuese prej të paktën 25%. Asani tha se ASK-ja për herë të parë ka formuar edhe sektorin për çështjen e përkthimeve dhe përdorimit të gjuhëve dhe se, sipas tij, për një kohë të shkurtër ligji për përdorimin e gjuhëve do të respektohet në tërësi. Si shembull marrin zbatimin e shqipes në faqen elektronike.

Kryeministri është personi para të cilit Agjencia jep llogari.

Tani kemi Agjenci që punon kryekëput në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore si i ka hije një shërbimi të sigurisë të një vendi anëtare të NATO-s – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

ASK-ja u formua si rezultat i reformave në shërbimet e sigurisë dhe zëvendëson Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button