Grupi “Celula” përgatitej për sulm!


Armë luftarake, bomba dore dhe jelekë kamikazësh ishin ndër pajisjet e grupit të koduar si “Celula”, të cilët u arrestuan një ditë më parë të dyshuar për ekstremizëm të dhunshëm. Pamjet e njësitit special policorë tregojnë momentin e arrestimit të tre të dyshuarve, B.A. 28 vjeç si koka e grupit dhe dy anëtarët E.L. 25 vjeç dhe V.A. 22 vjeç, që të gjithë nga Kumanova. Policia publikoi edhe listën e armëve të konfiskuara gjatë bastisjes nëpër shtëpitë e tyre në katër lokacione.

Ministria e Brendshme
5 pushkë automatike dhe pushkë-mitraloza
18 karikatorë të armëve me nga 30 plumba
8 granata dore për minahedhës me siguresë
Uniforma lufte si maska, doreza dhe jelekë
Flamur dhe shalle me mbishkrim të ISIS-it
Rripa të mbushura me eksplozive artizanale

Agjencia për Siguri Kombëtare në bashkëpunim me Prokurorinë për ndjekje të krimit të organizuar dhe Sektorin policorë anti-terrorizëm iu kanë rënë në gjurmë aktiviteteve të dyshimta të grupit, i cili që nga fillimi i vitit 2019 operonte me emrin e koduar “Celula”. Cak ishin institucionet më vitale në vend.

U privuan nga liria një grup i organizuar terroristë, për të cilin kishim informacione se janë organizuar duke blerë sasi të mëdha armësh dhe materialeve eksplozive me qëllim të përdorimit për ti dëmtuar objektet vitale të vendit tonë – tha Viktor Dimovski, Drejtori i Agjencisë ndërkombëtare të sigurisë.

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion tre të arrestuarve iu shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Menjëherë u dha urdhri për hapjen e hetimit kundër tre të dyshuarve për kryerjen e veprës penale ‘Organizatë terroriste’ sipas Nenit 394-a dhe ‘Terrorizëm’ i parashikuar dhe i dënueshëm sipas Nenit 394-b të Kodit Penal – thonë nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Grupi prej tre personave ishte mirë i financuaranga burime tani më të njohura për autoritetet e sigurisë, fonde të cilat përveç armatimit i kishin përdorur edhe për pajisje elektronike të komunikimit, si radio-lidhje ajrore, laptop, telefona celularë, të gjitha këto të konfiskuara si prova materiale. Që të tre të arrestuarit, janë riatdhesuar para katër vitesh nga Lindja e Mesme. Në atë kohë këta persona në rrugën drejt Sirisë për t’iu bashkangjitur formacioneve të armatosura të ISIS-it, janë kapur në Turqi dhe pas kthimit në Maqedoni janë dënuar më burg nga tre vite. Prej një viti që janë të lirë, shërbimet e inteligjencës kanë ndjekur ri aktivizimet e tyre në aktivitete të dyshimta.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button