Asociacioni, lirohet nga detyra ekipi menaxhues
Asociacioni, lirohet nga detyra ekipi menaxhues

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb. Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel. Krasniqi tha, po ashtu, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve. Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje. Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.
“Ajo është tërësisht brenda koordinatave politike të nacionalizimit fashist që e ka Serbia prej kohës së Millosheviqit prej viteve ’90-ta, e konsideron Kosovën pjesë të saj, ka bërë gjenocid, nuk ka pendesë për krimet e kryera, nuk distancohet prej asaj veprimtarie që e ka bërë në Kosovë, prej shkeljes masive të të drejtave të njeriut, krimeve të luftës, në fund edhe gjenocidin që e ka ushtruar në Kosovë nuk ka kurrfarë pendese nga ana e Serbisë. Ajo çka lejon Kushtetua është shumë e kufizuar. Nëse do të dëshironim të krijonim një hapësirë për një Asociacion i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për besë hapësira është shumë e vogël, hapësira është të krijohet një Asociacion simbolik diçka, e cila do të ishte në formë të një shoqate. Nuk ka mundësi më shumë, s’ka hapësirë për institucione të karakterit ekzekutiv. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”, deklaroi Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Alsat.mk