“Reporterët pa Kufij”, shqetësim për lirinë e medias

“Reporterët pa Kufij”, shqetësim për lirinë e medias

Organizata Reporterët Pa Kufij shpreh shqetësimin për gjendjen e lirisë së medias, duke përmendur si arsye kryesore për keqësimin e situatës luftën, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, kërcënimin nga përmbajtja e rreme dhe propaganda, që minojnë gazetarinë e mirëfilltë dhe profesionale. Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit, i bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe e “mirë” ose “mjaft mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tre nga dhjetë vende. Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.

Liria e shtypit në Evropë është eklipsuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Kremlini ka krijuar një arsenal të ri mediatik kushtuar përhapjes së mesazhit të Moskës në territoret që ka marrë nën kontroll në jug të Ukrainës dhe ka marrë masa të pashembullta për të goditur median brenda Rusisë. Maqedonia e Veriut në vendin e 38-të , ndërsa Mali i Zi në vendin e 39-të janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende. Organizata Reporterët pa Kufij, në Treguesin Botëror të Lirisë së Shtypit, radhiti Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike. Megjithatë sipas indeksit edhe Shqipëria, edhe Kosova kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë. Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të. Serbia, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë me 12 vende në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button