“Ata mund të na vrasin edhe këtu!”, frika e bjellorusëve të mërguar nga regjimi i Lukashenkos

Në mëngjesin e së dielës në fundin e muajit shtatorit, një grup i vogël njerëzish ndodheshin në një varrezë në Kiev për ceremoninë e varrimit të Vitaly Shishov, aktivistit 26-vjeçar bjellorus, që jetonte në mërgim në Ukrainën fqinje. Në fillim të muajit gusht, Shishov doli për të vrapuar dhe nuk u kthye më.

Ai u gjet i varur në një pemë në një park pranë shtëpisë së tij. Miqtë dhe mbështetësit e tij dyshuan për një krim, dhe policia ukrainase hapi një hetim me dyshimet për vrasje. Pas funeralit, disa njerëz u nisën drejt Sheshit të Pavarësisë në qendër të qytetit, vendi i betejave të përgjakshme gjatë revolucionit të Ukrainës të vitit 2014.

Të mërguarit bjellorusë në Ukrainë mblidhen çdo fundjavë për të protestuar kundër politikave autoritare të presidentit bjellorus Alexander Lukashenko. Xhupat, çorapet dhe kapelet e demonstruesve janë kuq e bardhë, dhe të stolisur me një kalorës të bardhë.

Lëvizja opozitare në Bjellorusi po përdor flamurin dhe stemën e Republikës Popullore Bjelloruse, e cila ekzistoi vetëm për 9 muaj në vitin 1918, para se vendi të bëhej pjesë e Bashkimi Sovjetik. Një burrë me tregoi figurën e kalorësit, dhe më tha se në kryeqytetin bjellorus Minsk, ai do të arrestohej vetëm për mbajtjen e këtij simboli.

Bjellorusët nisën të mbërrijnë në Kiev në verën e vitit 2020, pasi Lukashenko e vodhi mandatin e gjashtë presidenciale në një proces zgjedhor të manipuluar, duke e shpallur veten fitues me mbi 80 për qind të votave.

Qindra mijëra demonstrues dolën në rrugët e Minskut. Policia u kundërpërgjigj me dhunë, duke i rrahur protestuesit dhe duke i spërkatur me gaz lotsjellës. Sipas Nash Dom, një organizatë bamirëse bjelloruse, deri në dhjetor të vitit të kaluar ishin arrestuar mbi 30.000 demonstrues dhe më shumë se 4.000 prej tyre thanë se ishin torturuar.

Qeveria ukrainase i mirëpriti refugjatët dhe ndihmoi në zhvendosjen e kompanive bjelloruse.

Por që nga vdekja e Shishov disa javë më parë, edhe Kievi cilësohet si një strehë më pak e sigurt. “Po shohim se ata mund të na vrasin edhe këtu”- thotë Anna, një grua në të 30-tat, e cila u largua nga Bjellorusia 4 muaj më parë.

Një mikesha e saj, Lida, shprehet se u frikësua aq shumë kur u gjet trupi i pajetë i Shishov, saqë ajo nuk doli nga shtëpia e saj për 4 ditë pasi errësohej. Ndërsa po bisedonim së bashku, një burrë i dobët dhe pa flokë i dha Anës një poster me një fotografinë e një Shishov të buzëqeshur dhe me fjalët:“Vrarë më 2 gusht 2021 nga forcat e sigurisë të regjimit të Lukashenkos!”.

Burri quhet Yuri Shchuchko. Ai punonte në një fabrikë në Minsk, dhe iu bashkua protestave kundër presidentit të Bjellorusisë pas zgjedhjeve. Ai u largua nga Bjellorusia në nëntor 2020. Ai ishte mik me Vitaly Shishov dhe ishte takuar me të vetëm 2 ditë para se të vdiste.

“Të gjithë po largohen nga vendi ynë. Mjekët, intelektualët dhe arkitektët”- thotë ai.

Ndërsa vendasit dhe turistët nisën të grumbullohen rreth sheshit, rreth 30 mërgimtarë nga Bjellorusia qëndruan aty të rreshtuar. Ata mbështollën flamujt e tyre rreth vetes dhe mbanin postera të aktivistit të vdekur.

“Ne kemi nevojë të dimë të vërtetën!”,“Heronjtë nuk vdesin kurrë!”këndonin ata. Shchuchko iu drejtua grupit me një megafon:“Ne të gjithë duhet të ushtrojmë presion mbi organet zyrtare të Ukrainës, për t’u siguruar që të gjithë ata që morën pjesë në këtë vrasje të dalin para drejtësisë. Rroftë Bjellorusia!”.

Mërgimtarët bjellorusë besojnë se Shishov u vra nga agjentët rusë në Ukrainë. Si ish-republika sovjetike, Ukraina edhe Bjellorusia mbajnë lidhje të forta politike dhe ekonomike me Rusinë, por secila ka ndjekur një rrugë të ndryshme.

Ukraina e rrëzoi presidentin e saj të mbështetur nga Kremlini, Viktor Yanukovych, në vitin 2014 (ai më pas u arratis në Rusi), dhe qeveria e saj është bërë një kritike e zëshme e politikave ruse. Ndërkohë i shqetësuar për humbjen e një aleati tjetër, Kremlini e ka mbështetur represionin e ashpër të Lukashenkos ndaj popullit të tij.

Pasi u gjet trupi i pajetë i Shishov, qeveria e Ukrainës tha se ajo kishte dijeni për disa kërcënime kundër bjellorusëve të mërguar. Shchuchko tha se nuk ka frikë, por e pranoi se tani gjërat për bjellorusët në Ukrainë janë “shumë të pakëndshme”.

Si një eksponent i shquar i mërgatës bjelloruse këtu, Shchuchko u thirr për një “bisedë joformale”nga shërbimet ukrainase të sigurisë. Ai ka vendosur të shkojë në Gjermani, dhe nuk do të tregojë se çfarë ndodhi gjatë atyre takimeve derisa të largohet nga Ukraina.

Shishov ka drejtuar në Ukrainë“Shtëpinë Bjelloruse”, një organizatë që këshillon mërgimtarët se si të sigurojnë punë, strehim dhe viza. “Kjo organizatë ka ndihmuar shumë njerëz” thotë Shchuchko. E pyeta se si shkoi funerali i Shishov.

“Falë Zotit  gjithçka shkoi pa provokime apo ndërhyrje, dhe në të morën pjesë vetëm rrethi i ngushtë i familjes dhe miqve të të ndjerit”- theksoi ai. Fotot tregojnë partneren e Shishov, Bazhena Zholudzh që mban një tufë me trëndafila të kuq dhe të bardhë, ndërsa një prift ortodoks thotë një lutje mbi arkivol.

Kortezhi mortor vendosi një flamur kuq e bardhë mbi varr, si dhe lule të kuqe dhe të bardha.

Ndërsa Shchuchko dhe unë po bisedonim, Bjellorusët vazhdonin të brohorisnin. Më shumë njerëz mbërritën dhe shpalosën flamujt kombëtare. Protestuesit dhe gazetarët po filmonin dhe fotografonin, por disa donin të shmangnin kamerat.

Një nga ata që ishte ulur ishte Yura, një burrë i moshuar, me një kapele dhe xhup të zi, i cili më tha se ishte arrestuar në Minsk pasi iu bashkua protestave verën e kaluar. “Në qeli nuk kishte ujë, as dritare. Më i riu nga ne ishte 16 vjeç, më i madhi ishte 74”- tregon ai.

Që kur u transferua në Kiev disa muaj më parë, Yura i ka takuar të ardhurit e rinj nga Minsku. “Të gjithë po ikin nga vendi ynë. Mjekët, intelektualët dhe arkitektët. Atje, asgjë nuk ndryshon, vetëm po përkeqësohet. Moralisht këtu ndihemi më mirë. Financiarisht, më pak”- shton ai.

Natën e tij të parë në Kiev ai fjeti në një nënkalim. Yura nuk ma tregoni mbiemrin e tij, nga frika për sigurinë e gruas dhe fëmijëve të tij që ndodhen ende në Bjellorusi. Ai po përpiqet që t’i nxjerrë prej andej, së bashku me familjen dhe miqtë e tjerë, por nuk është i sigurt nëse do të ketë sukses.

Njerëzit shkëmbejnë këshilla në Telegram, një aplikacion i koduar i mesazheve, në lidhje me mënyrat më të mira për të arritur në Ukrainë. Ndërsa protestuesit filluan që të shpërndahen, disa u nisën drejt një kafeneje aty pranë, Yura donte të vazhdonte të fliste. Por jo aty ku mund të dëgjonin të tjerët.

Ai kishte ardhur në shesh jo për hir të Shishov, por për t’u treguar fëmijëve dhe bashkatdhetarëve të tij se opozita është ende gjallë. Ai më tregoi më shumë për atë që i kishte ndodhur në Minsk në një rast kur doli për të protestuar. Ai u rrëzua përtokë, duke dëmtuar këmbët dhe hundën.

Ndërsa ishte shtrirë në rrugë, pa policinë që po godiste një burrë tjetër që tashmë ishte qëlluar në gjoks. “E mbaj mend atë, dukej si ky i riu këtu. Ai u rrëzua, dhe policët vraponin dhe qeshnin”- thotë Yura i përlotur. Ai më tregoi një fotografi jo shumë të qartë që kishte bërë në telefonin e tij:burri ishte shtrirë në rrugë i rrethuar nga policë me uniforma.

Ajo përvojë, e kombinuar me ndarjen e gjatë nga familja, e ka çuar atë drejt një ezaurimi nervor. “Unë jam gati të rrëmbej armët kundër këtij regjimi. Më parë, nuk isha gati. Por tani jam. Sepse me mungon familja ime. E gjithë jeta ime është atje. Fatkeqësisht unë duhet të jem këtu”- thotë ai.

LEXO EDHE:

Back to top button