Austria kërkon mbajtjen e maskave edhe në ambiente të jashtme, pasi Omicron vazhdon përhapjen e shpejtë nëpër popullatë

Kancelari austriak Karl Nehammer njoftoi shtrëngimin e mëtejshëm të kufizimeve të vendosura për shkak të coronavirusit të enjten pasi varianti Omicron vazhdon përhapjen e tij të shpejtë nëpër popullatë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, tani e tutje, një maskë duhet të vendoset edhe në ambiente të jashtme nëse nuk mund të mbahet një distancë prej dy metrash, si për shembull në zonat e ngarkuara të këmbësorëve ose në radhë.

Shitësit me pakicë do të duhet gjithashtu të kryejnë kontrolle për të siguruar që vetëm ata me dëshmi të vaksinimit ose rikuperimit do të pranohen në shumicën e dyqaneve.

Megjithatë, duke pasur parasysh situatën ekonomike të vendit, koha e karantinës është reduktuar në pesë ditë, nëse personi i infektuar rezulton pozitiv.

Situata ishte shumë serioze, tha Nehammer, duke shtuar se me përpjekje të përbashkët, një bllokim i ri ende mund të parandalohej.

Siç raportojnë mediat, kurba e infeksioneve të reja në Austri po rritet me shpejtësi.

Sipas autoriteteve, 8,853 persona u infektuan me virusin vetëm brenda 24 orëve.

Sidoqoftë, duket se plani i Austrisë për t’i bërë të detyrueshme vaksinat kundër coronavirusit nga 1 shkurti mund të jetë në “baza të lëkundshme” për shkak të variantit jashtëzakonisht ngjitës Omicron, tha një ekspert për dpa.

Megjithatë, plani i vaksinimit synon kryesisht të mbrojë spitalet nga mbingarkesa.

Ndryshe, rreth 70 për qind e austriakëve konsiderohen aktualisht të vaksinuar plotësisht.

LEXO EDHE:

Back to top button