Autoritetet analizojnë formimin e çmimeve të mbi 600 produkteve, Qeveria paralajmëron ndërhyrje nëse zbulohen marzhe të larta tregtare

Gazetar: Angell Dimovski

Analizat që po e kryejnë autoritetet, me të cilën planifikojnë të përcaktojnë se cili është ndikimi që i mban çmimet të larta, pritet të përfundojë në fund të muajit të ardhshëm, thotë ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi. Ai shtoi se analiza përfshin 600 deri në 700 produkte dhe do të shqyrtohet i gjithë procesi- nga çmimi i prodhuesit deri te çmimi i shitjes te tregtari. Durmishi shtoi se gjatë kësaj jave do të mbahet edhe një takim me furnizuesit dhe prodhuesit.

“Analiza përfshin 600 deri në 700 produkte që janë pjesë e shportës së konsumit, përkatësisht 74 grupe të produkteve ushqimore bazë. Për secilin produkt do të analizohet i gjithë zinxhiri i furnizimit, nga çmimi i prodhuesit deri te çmimi i shitjes, ndërsa natyrisht do të përfshihet edhe furnizuesi. Kur ta kemi këtë analizë, do të dalim para opinionit dhe do të tregojmë saktësisht se kush janë faktorët që ndikojnë që produkti në fund të shitet me atë çmim, ose kush ndikon në formimin e çmimit të produktit“, deklaroi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Sipas Durmishit, një pjesë e tregtarëve u kanë dalë në ndihmë qytetarëve duke i ulur vetë marzhat e fitimit. Tani ato do të kontrollohen sërish dhe nëse konstatohet rritje, do të kufizohen.

“Herën e kaluar, kur vendosëm kufizimin e marzhave gjatë periudhës së festave, tregtarët, duke e ditur saktësisht se cilat produkte konsumohen më shumë, e rritën marzhën e fitimit deri në 20 apo 30 për qind. Edhe tani po vërehet e njëjta gjë, rritja e marzhës bruto të fitimit, aty ku mund të ndërhyjmë administrativisht. Megjithatë, do të bëjmë analizë të detajuar – nga prodhuesi, çmimi i shitjes, furnizuesi, distributori e deri te tregtari në fund. Pra, do të bëjmë një analizë të hollësishme dhe do të shohim se ku duhet të ndërhyjmë ose me kë duhet të takohemi nëse rastësisht konstatohet një marzhë më e lartë se 10 apo 15 për qind“, theksoi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.

Lidhur me analizën e njëjtë, një ditë më parë kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ajo është prioriteti i tij më i lartë dhe se ai personalisht po e udhëheq procesin dhe pret rezultate shumë shpejt./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button