Banorët e Strugës të revoltuar për vonesën e pastrimit të Drinit të Zi, autoritetet nisin aktivitetet për pastrim
Gazetar: Miki Trajkovski
EMV po vonon pastrimin e shtratit të lumit Drini i Zi nga barishtet, reagojnë struganët. Sipas tyre, ky është kulmi i papërgjegjshmërisë ndaj sektorit të gastronomisë dhe turizmit në qytet. Për shkak të kësaj situate, larja në lum, një nga atraksionet më të mëdha të Strugës gjatë çdo vere, është pothuajse e pamundur. Ata vlerësojnë se aktivitetet për pastrimin është dashur të fillonin të paktën një muaj më parë.
Betim Ibraimi – aktivist qytetar
“Unë, si qytetar i Strugës, mendoj se kjo është katastrofë që po i bëhet Strugës. Duhet të ndërhyhet menjëherë, sepse sezoni turistik tashmë ka filluar, ndërsa pastrimi po vonohet shumë. Nëse shikoni se çfarë ka ndodhur në vitet e fundit, gjithmonë është filluar me vonesë. Gastronomia dhe i gjithë qyteti varen nga turizmi në Strugë. Ne nuk kemi burim tjetër të të ardhurave“, tha Betim Ibraimi – aktivist qytetar.
“Prej vitesh lumi ndodhet në gjendje të keqe. Para disa viteve pati raste kur u shembën edhe pjesë të bregut të lumit, ndërsa për vite të tëra askush nuk erdhi t’i sanonte. Nëse burimi kryesor i të ardhurave dhe resursi më i rëndësishëm i hidrocentraleve është uji, atëherë pritet që të tregohet kujdes më i madh për këtë ujë dhe për lumin, si dhe të ndërmerren me kohë masat e nevojshme për mirëmbajtjen e tij“, theksoi Agim Poshka – gastronom.
Situata është shqetësuese edhe nga aspekti ekologjik. Aktivistët alarmojnë për numër të madh të shkarkimeve, qofshin ato atmosferike apo kanalizimi.
“Vitin e kaluar shumë njerëz përfunduan me probleme shëndetësore. Nuk e di saktësisht nga çfarë, për këtë duhet të bëhet analizë profesionale dhe nuk mund ta pohoj unë. Por një gjë është e sigurt kërkojmë që ndërmarrja publike kompetente të ndërmarrë sa më shpejt masa dhe ta zgjidhë këtë problem. Më pas, të gjitha institucionet e tjera përkatëse duhet të vijnë dhe të konstatojnë se çfarë ujëra derdhen në këtë vend dhe nga e kanë origjinën. Ne nuk e dimë çfarë uji derdhet këtu, por me siguri nuk është i pastër, sepse kjo paraqet problem serioz”, thotë Nderim Pollozhani – aktivist qytetar.
Nga EMV thonë se aktivitetet për pastrimin kanë filluar sot, ndërsa është paraparë që të përfundojnë më së voni deri më 3 korrik. Ata theksojnë se EMV, dega “Drini i Zi”, po kryen kositjen e barishteve ujore në pjesën urbane të lumit në bazë vullnetare, edhe pse nuk ka pasur detyrim ligjor për një gjë të tillë. Fillimisht ishte planifikuar që kositja të fillonte javën e kaluar, por me kërkesë të manifestimit “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”, me qëllim që lumi Drini i Zi ta ruante pamjen karakteristike gjatë festivalit, u mor vendim për shtyrje të shkurtër./Alsat.mk.








