Autoritetet premtojnë kontrolle, por çmimet në Ohër mbeten problem

Gazetar: Miki Trajkovski

Çmimet përgjatë Liqenit të Ohrit edhe këtë verë po arrijnë rekorde. Edhe pse zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Risteski, verën e kaluar deklaroi se do të reagonin kudo ku do të vërenin mungesë të logjikës së tregut në formimin e çmimeve, në praktikë pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Ndërkohë, bizneset e gastronomisë vazhdojnë të shfrytëzojnë çdo moment për të rritur çmimet e shërbimeve. Edhe tani Risteski jep premtime të ngjashme si vitin e kaluar.

“Duhet të ketë pak më shumë ndërgjegje edhe nga sektori i biznesit, gastronomët dhe hotelierët sa u përket çmimeve. Nëse çmimet janë tepër të larta dhe nuk janë konkurruese krahasuar me destinacionet e tjera turistike në vend dhe jashtë, do të ketë largim më të madh të turistëve nga Ohri. Inspektorati i Tregut është në terren, po i ndjekim këto çështje dhe besoj se në të ardhmen, aty ku do të konstatohet veprim jashtë ligjit dhe formim çmimesh jashtë logjikës së tregut, do t’i përdorim të gjitha masat ligjore, përfshirë edhe dënimet maksimale.” – Marjan Risteski – zëvendësministër i Ekonomisë.

Kur bëhet fjalë për çmimet, Ohrit mund t’ia kenë zili edhe destinacionet më luksoze evropiane. Për një qëndrim njëjavor në Ohër duhet të shpenzoni pothuajse aq sa për pushime në Antalia apo në Egjipt.

Banorët e Ohrit thonë se ndihen si turistë gjatë gjithë vitit në qytetin e tyre.

“Tri vitet e fundit çmimet janë rritur ndjeshëm. Ndoshta një ose dy herë në muaj mund t’ia lejojmë vetes të hamë drekë në restorant. Krahasuar me çmimet evropiane janë afërsisht aty, por për rajonin janë të larta. Ka edhe vende me çmime më të ulëta dhe ka mundësi për secilin.” – Banor i Ohrit.

“Çmimet për ne janë të njëjta si tani ashtu edhe në dimër. Janë tepër të larta. Që turizmi të funksionojë siç duhet, secili me një pagë maqedonase duhet të mund të vijë në Ohër për të pushuar, për të ngrënë dhe për të qenë turist. Kështu nuk mundet. Ne jemi turistë 365 ditë në vit. Çmimet janë të njëjta si në dimër ashtu edhe në verë. Me këto çmime, Ohri po humb edhe turistët vendorë.” – Banor i Ohrit.

“Për mua nuk janë aspak të shtrenjta, për të tjerët nuk e di, sepse shoh që të gjithë rrinë këtu, të gjithë hanë dhe të gjithë pinë,” tha një banor.

Një kafe pranë liqenit kushton nga 2 deri në 3 euro, një hamburger nga 5 euro e lart, një picë nga 8 deri në 13 euro, një birrë vendore deri në 200 denarë, një lëng nga 140 deri në 180 denarë, ndërsa një drekë për një person në restorant 350 denarë e lart. Megjithatë, gastronomët vazhdojnë të thonë se Ohri është destinacioni turistik më i lirë në rajon. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button