Autoritetet shqiptare po hetojnë sulmin e tre shtetasve rusë ndaj një uzine ushtarake

Autoritetet shqiptare po hetojnë sulmin e tre shtetasve rusë ndaj një uzine ushtarake

Autoritetet shqiptare përfshirë policinë, Ministrinë e Mbrojtjes, Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Agjencinë e Antiterrorit janë përfshirë ne hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes të ndodhur në Gramsh, ku dy ushtarakë u sulmuan nga dy shtetas rusë dhe një ukrainas. Të shtunën pasdite, dy ushtarë shqiptarë, të cilët ruanin fabrikën e prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar me spray neuro-paralizues nga 3 shtetas rusë e ukrainas. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë.

Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, me pasaportë ruse, Mikhail Zorin 23-vjeç me pasaportë ruse, dhe një tjetër i ri me pasaportë ukrainase janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas incidentit në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.

Në një postim në Twitter, kryeministri Edi Rama lavdëroi ushtarët që “neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh” por nuk dha detaje tjera mbi incidentin.
Edhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka postuar fotografi të dy ushtarëve që u sulmuan, për të cilët shprehu mirënjohje, por as ai nuk dha informacione tjera rreth kësaj ngjarjeje.
Autoritetet shqiptare i janë drejtuar zyrtarisht ambasadës ruse në Tiranë, duke kërkuar informacion dhe shpjegime për shtetasit e arrestuar në mbrëmje.
Ndërkohë sipas Top Channel rusët e arrestuar kanë mohuar të jenë agjentë. “Jemi turistë. Kemi pasion fotografinë e uzinave të braktisura. Menaxhojmë faqe në instagram dhe nuk i përkasim asnjë agjencie inteligjente”. Kështu janë shprehur para autoriteteve shqiptare 3 personat e ndaluar.

Top Channel ka zbuluar blogun që menaxhohej nga 33 vjeçarja Svetlana Valerneva Timofoeva. Në faqen e saj të instagramit 33 vjeçarja ka postuar foto vetëm disa minuta para ndalimit nga policia. Në këtë blog në njërin nga postimet ajo shkruan se ka 15 vite që e ndjek këtë hob.

Grupi shihet se ka qenë në shumë vende e ka fotografuar uzina të ngjashme. Ata kanë postuar edhe kur vrapojnë pasi autoritetet i kanë zbuluar që janë future në një zonë të ndaluar. Në faqe ka fotografi nga Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia e së fundmi nga Italia.

Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, është një ndër tre uzinat ushtarake të Forcave të Armatosura dhe që është përfshirë në procesin e demontimit dhe shkatërrimit të municioneve të tepërta.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button