Autoritetet vijojnë betejën me flakët, disa vatra janë akoma aktive

Autoritetet vijojnë betejën me flakët, disa vatra janë akoma aktive

Gazetare: Ajnur Bafqari

Reshjet e shiut bëhen fati që u vjen në ndihmë autoriteteve për shuarjen e zjarreve të mëdha që përfshijnë hapësirat pyjore në territorin e shtetit. Aktualisht në vend ka vetëm një zjarr aktiv në rajonin e Ohrit dhe nga Qendra për Menaxhim me Krizat vlerësojnë se pikërisht pas reshjeve të shiut, pritet që ky zjarr të shuhet tërësisht.

“Gjendja është shumë serioze. Gjatë ditës së sotme kemi vetëm një zjarr aktiv që ndodhet diku në anën e majtë të rrugës nga Ohri drejt Resnjës, diku në lartësi prej rreth 850 metra. Lajm i mirë është se kanë filluar reshjet dhe zjarri do të shuhet. Të gjithë mëngjesin kishte një betejë të vërtetë me zjarrin, që përhapej në tre drejtime, në njërin drejtim zjarri u afrua në rreth 800 metra afër fshatit, por atje zjarri u vendos nën kontroll. Besoj se nëse shiu është I mjaftueshëm do ta shuaj tërësisht, nëse jo për shkak të lartësisë së terrenit, ekziston mundësia për përdorimin e avionëve”, deklaroi Stojançe Angellov, Qendra për Menaxhim me Kriza.

Maqedonia e Veriut është përballuar me 139 zjarre vetëm gjatë muajit mars, 141 në prill, 193 zjarre në muajin maj, në muajin qershor kishte 191 zjarre, në muajin korrik 91, ndërsa në vetëm 9 ditët e muajit gusht numri I zjarreve ka arritur në 88. Drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov thekson se të gjitha këto zjarre janë menaxhuar mirë dhe për këtë falënderon edhe krerët e komunave dhe vetëqeverisjen lokale për masat preventive, njoftimin e hershëm dhe intervenimin në kohë. Prej të gjitha këtyre zjarreve vetëm në 7 raste është intervenuar nga ajri, ndërsa edhe një tjetër rast reshjet e shiut ndihmuan në shuarjen në tërësi të zjarrit.

“Përsëri ditën e ardhshme në Krivollak, pasi kërcënohej një rrezik i vogël për depotë, u përdor edhe helikopteri i policisë dhe armatës, si dhe airtraktori i Drejtorisë Për Mbrojtje dhe Shpëtim, u vendos zjarri nën kontroll, por kishim edhe fat që gjatë mbrëmjes kishte shi që ndihmoi që zjarri të shuhet në tërësi, zjarr që tashmë ishte vendosur nën kontroll”, u shpreh Stojançe Angellov, qendra për menaxhim me kriza.

Kujtojmë se muajin e kaluar sipas gjetjeve të analizës që e ka bërë Fakulteti i Sigurisë në Shkup, u drejtuan kritika të ashpra ndaj sistemit për menaxhim me krizat, mbrojtje dhe shpëtim. Nga atje theksuan se mungon koordinimi, ekziston partizim i pjesërishëm te kuadri dhe ekziston deprofesionalizimi. Profesorët e sigurisë theksuan se përveç nevojës për miratimin e një ligji për gjendje të jashtëzakonshme nevojitet edhe “shkrirje” e Qendrës për Menaxhim me Krizat dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në një trup të vetëm./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button