Autostrada prej 10,5km nga Shkupi deri në Bllacë do të kushtojë 220 milion euro

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Pjesa e dytë e autostradës Shkup – Bllacë me gjatësi prej 10 kilometrave e gjysmë do të kushtojë rreth 220 milion euro bashkë me harxhimet për mbikëqyrje dhe mbështetje teknike, deklaroi për Alsat, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski. Megjithatë, nëse në periudhën e ardhshme katërvjeçare, afat i paraparë për përfundim të ndërtimeve, paraqitet krizë globale ekonomike dhe energjetike, atëherë kostoja mund të rritet.

“Ne bëmë optimizim të projektit dhe arritëm të ulim vlerën dhe vetëm se kemi ofertë më poshtë se 200 milion euro. Shumat e tjera që përmenden janë për mbikëqyrje për mbështetje teknike dhe arrijmë te një shumë e përgjithshme prej 220 milion euro. 169 milion euro janë grant nga Banka Zhvillimore dhe 30 milion euro grant nga Bashkimi Evropian. Përgjegjësia e shtetit është harmonizimi i çmimeve me inflacionin e rregullt vjetor. Nëse ndodhë ndonjë krizë e madhe botërore, kjo është diçka që i lëvizë çmimet. Nëse kemi kushte normale, pa krizë, atëherë ky është buxheti”, deklaroi për Alsat, ministri i transportit, Aleksandar Nikolloski.

Autostrada fillon nga qarkorja në Stenkovc. Do të përbëhet nga gjithsej 11 ura bashkë me shkyçjet nga autostrada, 11 nënkalime, 4 galeri e 5 tunele me nga dy kalime. Pra çdo tunel do të përbëhet nga dy tuba, pra në dy kahe, që do të thotë gjithsej do të jenë 10 tunele.

“Bëhet fjalë për një terren mjaft të komplikuar. 75% e trasesë nuk do të jetë në tokë por në beton. Do të ketë 5 tunele me nga dy gypa. Do të ketë 4 galeri, 11 viadukte apo urra me lartësi së paku prej 30 metrave dhe rreth 20 objekte të tjera. Në vend të hapur do të vozitet 130km/h ndërsa në tunele 80 deri 100km/h. Ka disa kompani të afërta me BDI-në të cilët janë shumë të pafat nga procesi i shpronësimit sepse tokat ku ato mendonin se do të kalojë autostrada, tani nuk janë pjesë e autostradës. Përndryshe 65% e shpronësimit të kësaj traseje ka përfunduar”, sqaroi ministri Nikolloski.

Autostrada do të përbëhet nga tre korsi në të dy drejtimet. Dy do të shfrytëzohen për lëvizje dhe një do të jetë ndihmëse. Gjerësia totale do të jetë 27,5 metra e dy drejtimet do të ndahen me gjelbërim. Ministri i transportit Aleksandar Nikolloski theksoi se marrëdhëniet politike e fqinjësore me Republikën e Kosovës janë të shkëlqyeshme. Siç theksoi dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një viti vetëm në pikën doganore në Han të Elezit kalojnë madje 54 mijë maune./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button