Kanalet serbe nën akuza për shkelje ligjore në Maqedoni
Asociacioni i Televizioneve Kombëtare në Maqedoni të Veriut dhe Radiotelevizioni i Maqedonisë përmes një reagimi publik kanë denoncuar sot publikisht shkeljet ligjore që po bëjnë kanalet televizive serbe dhe jo vetëm. Ne reagimin e tyre të argumentuar në baza ligjore, potencohet fakti se kanalet serbe që kanë marrë të drejta për riemitim, po keqpërdorimin këtë të drejtë duke e interpretuar në emitim të programit dhe prodhimit të tyre.
“AMM dhe RTVM posedojnë dëshmi materiale se kanalet serbe Arena M1, M2 dhe M3 Premium për një periudhë më të gjatë kohore punojnë pa lejen e domosdoshme të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele. Në mënyrë jo të drejtë ato trajtohen si programe serbe të cilat riemitohen në Maqedoni të Veriut edhe pse produksioni, gazetarët dhe mysafirët janë në Shkup, studiot dhe emisionet prodhojnë programe brenda territorit tonë ndërsa programi emitohet në gjuhën maqedonase”.- Reagimi i AMM-së dhe RTVM-së.
Nga dëshmitë e siguruara ka rezultuar se kanalet serbe të cilat emitojnë programin e tyre në Maqedoni të veriut nuk ekzistojnë në regjistrimin e rregullatorit serb. Madje një akt që miraton veprimtarinë e tyre të interpretuar nuk ekziston as në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele.
“Në evidencën e rregullatorit në Serbi (REM), kanalet Arena M1, M2 dhe M3 Premium NUK EKZISTOJNË, që nënkupton se nuk janë kanale vendase të Serbisë. Gjithashtu në evidencat e ASHMAA-së nuk ekziston akt miratimi për këto kanale edhe pse udhëhiqen si shërbime të huaja të cilat emitojnë program në gjuhën serbe”. – Reagimi i AMM-së dhe RTVM-së
AMM dhe RTVM kërkojnë nga organet ligjzbatuese dhe institucionet tjera përkatëse të vërtetojnë nëse me këto veprime shkelet domosdoshmëria ligjore për leje pune, a është dëmtuar buxheti i shtetit me mospagimin e licencës dhe a ka përgjegjësi te pronarët dhe personat përgjegjës përfshi edhe zyrtarët e ASHMAA-së.
“Kërkojmë që riemitimi disavjeçar i kanaleve të caktuara nga rajoni si Kroacia, Shqipëria, Bosnja dhe Serbia të futet ne radarin rregullues të Maqedonisë së Veriut. AMM dhe RTVM nuk do të lejojnë që modeli i njëjtë të zbatohet edhe nga “Euronews Macedonia.”– Reagimi i AMM-së dhe RTVM-së
Palët njoftuan se për konstatimet e lartpërmendura do të dorëzojnë padi penale në prokurori dhe polici. /Alsat.mk








