Autostrada Shkup-Bllacë, vazhdojnë kontestimet e pronarëve për çmimin e tokave

Kontestet pronësore me tokat e bllacalive, nëpër të cilat do të kalojë autostrada Shkup-Bllacë do të zgjidhen përmes Gjykatës Administrative. Megjithëse autoritetet shtetërore kanë konfirmuar se është bërë shpronësimi i plotë për fazën e parë të segmentit 2km, disa prej banorëve të bllacës kanë ngritur padi në gjykatë duke mos u pajtuar me koston e vlerësimit të tokave të tyre. Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” tha se do të paguajnë të gjitha parcelat që janë në çështje kontestimi, pasi që gjykata do të jep vendimet sipas procedurave ligjore për shpronësim të tokave private.

Ne jemi të vetëdijshëm se kur bëhet fjalë për tokë private ka edhe lidhje emocionale, mirëpo realizimi i një projekti të këtillë kapital siç është autostrada që na lidh me Kosovën, ne kemi respektuar të gjitha procedurat kemi edhe raste të tilla, të cilat nuk janë pajtuar me çmimin e asaj parcele por ajo shkon përmes procedurës gjyqësore dhe derisa Gjykata të vendos për zgjidhjen e asaj, ne kemi mundësi ligjore që të vazhdojmë projektin tonë dhe në momentin kur përcaktohet çmimi në gjyq, ne do të bëjmë pagesën a atyre parcelave- deklaroi Ejup Rrustemi, Drejtori i N.P. “Rrugët Shtetërore”.

Segmenti i parë prej 2km do të kushtoj 14,26 milion euro duke përfshirë TVSH-në. Autostrada prej 12 kilometrash që taksapaguesve është paraparë tu kushtoj rreth 120 milion euro, mund ti rritet kostoja për shkak se vlerësimet gjatë shpronësimit nuk ishin reale. Por, gjatë inspektimit të punimeve në terren nga Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe Ministri i Transportit Bllagoja Boçvarski u theksuan dobitë ekonomike të lidhjes së vendit me shtetet e rajonit.

Jemi në negociata direkt me kryetarin e Qytetit të Shkupit që edhe prej të qarkorja, deri tek hyrja e Shkupit rruga e Kaçanikut siç e quajmë ne, tash me emërtimin e ri ‘Hasan Prishtina’ do të bëhet bulevard dhe po shpresojmë që këto punime ti sivjet. Ndërsa, synimi i gjithë neve bashkë është që nga kufiri Bllacë deri tek vendkalimi në Qaf Thanë të bëhet me lidhje të autostradës në afat të këtij mandati- pohoi  Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.

Sipas Nenit 37 të Ligjit për shpronësim kompensimi i pronave të patundshme bëhet në bazë të vlerës së çmimit të tregut i cili ndryshon në çdo komunë në bazë të pagesës së tatimit së atyre pronave. Disa prej banorëve të bllacës janë pajtuar me koston e vlerësimit, por të tjerët kërkojnë tu bëhet pagesa sipas tatimit që kanë paguar. Përderisa telashe me pronat janë paraqitur që në fazën e parë, vështirë se do të arrihet afati i inaugurimit të autostradës në vitin 2023.

Përgatiti: Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button