​Baerbock: Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, prioriteti kryesor strategjik i Gjermanisë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, me rastin e emërimit të Manuel Saracin si Përfaqësues Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor tha se stabiliteti dhe perspektiva evropiane e rajonit është prioriteti kryesor strategjik i Berlinit, veçanërisht në situatën aktuale.

“Qeveria federale ka krijuar një funksion përfaqësues të posaçëm për të punuar së bashku me gjashtë vendet (Ballkani Perëndimor), në një mënyrë shumë të fokusuar, për të përmirësuar perspektivat e tyre të zhvillimit dhe për t’i mbështetur ato sa më mirë që mundemi në procesin e reformës,” tha Baerbock.

Baerbock tha se Saracin do të “punojë ngushtë” me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak dhe me Përfaqësuesin e Lartë të komunitetit ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.

“Jam veçanërisht e kënaqur sepse e respektoj shumë Manuel Saracin dhe e di shumë mirë që ai promovon me shumë përkushtim interesat e Ballkanit Perëndimor. Një rajon i fortë, i qëndrueshëm dhe paqësor i Ballkanit Perëndimor në Evropën Juglindore do të ketë një ndikim kyç në të ardhmen e BE-së”, tha kreu i diplomacisë gjermane.

Më 18 shkurt, qeveria gjermane emëroi Saracin, anëtar i Partisë së Gjelbër në Bundestag nga viti 2008 deri në 2021, si të dërguar special për Ballkanin Perëndimor. Ky pozicion nuk ekzistonte në qeveritë e mëparshme gjermane.

Më herët, Saracin foli në disa raste për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa në maj të vitit të kaluar ai vuri në dukje rëndësinë e një politike të koordinuar gjermano-franceze për Ballkanin Perëndimor, duke u shprehur se kundërshton fuqishëm ndryshimin e kufijve në rajon.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button