Bajden: Amerikanët të largohen nga Ukraina

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë të largohen nga ky shtet menjëherë, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.

“Shtetasit amerikanë duhet të largohen tani. Ne po përballemi me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Është situatë krejt ndryshe dhe gjërat mund të përshkallëzohen shpejt”, tha Xho Bajden, President i SHBA-së.

I pyetur nëse ekziston një skenar që mund ta shtyjë atë të dërgojë trupa ushtarake për t’i shpëtuar amerikanët, Biden ka thënë se nuk ka.

“Bëhet luftë botërore kur amerikanët dhe rusët nisin të shtëna ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi në një botë krejt ndryshe prej asaj që kemi qenë”, deklaroi Xho Bajden, President i SHBA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia vazhdon të mbledhë trupa në kufi me Ukrainën dhe mund të nisë pushtimin në çdo moment, duke përfshirë edhe periudhën sa mbahen Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin.

“Thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja të turbullta të përshkallëzimit rus, duke përfshirë arritjen e forcave të reja ruse në kufirin ukrainas. Siç e kemi thënë më parë, ne mund të përballemi me pushtim në çdo kohë, dhe të jem i qartë, aty përfshihet edhe periudha e Lojërave Olimpike Dimërore”, u shpreh Antoni Blinken, Sekretar amerikan i shtetit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi një bazë ajrore ushtarake në Rumani, që është nikoqire e afro 1,000 trupave amerikane, që janë dislokuar në këtë shtet si pjesë e përpjekjeve të aleancës për të forcuar krahun lindor, pas rritjes së tensioneve midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai tha se “ka rrezik për një konflikt të armatosur në Evropë”.

“Ne nuk kemi siguri lidhur me atë që do të ndodhë. Prandaj ne i bëjmë thirrje Rusisë që ta shtensionojë situatën. Ne jemi vigjilentë dhe të përgatitur dhe kjo është arsyeja që prezenca e trupave të NATO-s në Rumani është kaq e rëndësishme”, deklaroi Jens Stoltenberg.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht se ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit. Ndërkohë Rusia ka nisur edhe stërvitjet masive ushtarake me shtetin fqinj, Bjellorusinë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button