Dajot Upamekano, një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar të ardhshëm është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Bajern Munihun, duke i dhënë fund zërave për një kalim të mundshëm te Real Madrid. Mbrojtësi francez pritet të rinovojë përtej vitit 2026.
Kontrata aktuale e tij skadon në qershor, çka kishte ngjallur interesin e disa klubeve të mëdha evropiane. Real Madridi e ka monitoruar nga afër zhvillimin e tij, megjithëse gjithçka tregon se nuk do të kenë asnjë shans.
Bajern e sheh Upamekanon si pjesë qendrore të mbrojtjes për të ardhmen. Klubi ka përshpejtuar bisedimet për ta blinduar lojtarin nga ofertat e jashtme.
Që nga transferimi i tij në 2021 për mbi 40 milionë euro, Upamekano ka luajtur 156 ndeshje zyrtare dhe ka qenë titullar i padiskutueshëm në mbrojtje. Ai vlerësohet për qëndrueshmëri dhe lidership. Rinovimi pritet të zyrtarizohet në javët në vijim. Vetë lojtari ndihet i qetë dhe i vlerësuar në Munih, ku dëshiron të vazhdojë rritjen e tij si lider i prapavijës bavareze.








