Rubin: Autori i shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit, ka shkruar fjali të rreme
Rubin: Autori i shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit, ka shkruar fjali të rreme
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar sot dëshmia e Xhejms Rubinit, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Rubin përsëriti se ka pasur shumë pretendime e akuza, për krime lufte nga pjesëtarë të UÇK-së, por se SHBA-ja nuk arriti t’i vërtetonte ato. Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve.Sipas Rubinit, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë. Dëshmia e Xhejms Rubinit është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Në dëshminë e tij, një ditë më parë ai hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz. Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në sallën e gjyqit t’i sjellë rreth 11 dëshmitarë./Alsat.mk
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, vazhdon dëshminë e mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.
James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.
Sipas artikullit të lexuar nga prokurori, Hashim Thaçi drejtoi fushatën e vrasjes së disa komandantëve. Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.
Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.
“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se e shqetëson fakti që ish-krerët e UÇK-së janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim, pasi siç tha ai janë dorëzuar vullnetarisht.
Ai më tej ka thënë se: “Duke i ditur zhvillimet, mendoj se është gabim, kjo nuk është drejtësi. Kam menduar, kam lexuar, kam folur me juristë dhe më kanë thënë se është një trajtim i pazakontë për një burrë shteti që është dorëzuar vullnetarisht”.








