Bajerni kërkon të dobësojë Leverkuzenin, josh yllin e skuadrës

Bajern Munihu synon të bëjë me Bajer Leverkuzenin atë që ka bërë edhe me rivalët e mëparshëm në Bundesliga, ta dobësojë nëpërmjet merkatos. Bavarezët, janë hedhur në sulm për Xhonatan Tah, liderin e repartit të prapavijës tek kampionët e saposhpallur të Bundesligas.

Drejtuesit e rekordmenëve gjermanë duke njohur kontratën në skadencë të Tah-ut në vitin 2025, synojnë të përfitojnë. Mirëpo, “Aspirinat” po lëvizin dhe kërkojnë të mbrohen teksa i kanë vendosur 28-vjeçarit një çmim me vlerë prej 40 milionë eurosh. Në fakt, kjo shifër është vetëm për klubet gjermane, pasi nëse klubi merr një ofertë nga kampionatet e tjera europiane, e lejon lojtarin të largohet për 30 milionë euro.

Vetë Tah, synon të vijojë karrierën në një tjetër klub sezonin e ardhshëm dhe mbetet për t’u parë nëse Bajern Munihu do t’ia dalë t’i “rrëmbejë” trajnerit Çabi Alonso një prej të besuarve të tij. Në këtë sezon, Tah është aktivizuar në 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet me fanellën e Bajer Leverkuzen duke shënuar edhe gjashtë gola.

LEXO EDHE:

Back to top button