Banorët e Batincës të revoltuar: Autobusët vonohen, nxënësit dhe punëtorët presin me orë
Gazetar: Avni Tahiri
Në hyrje të fshatit Batincë, lejlekët që kanë shtuar praninë e tyre vitet e fundit krijojnë një pamje të bukur dhe japin përshtypjen e një mjedisi të gjallë e në zhvillim. Megjithatë, pas kësaj pamjeje simbolike fshihet një problem që prek drejtpërdrejt jetën e banorëve.
Mungesa e transportit publik për të punësuarit dhe nxënësit, është një problem që vazhdon të mbetet i pazgjidhur në Batincë të Shkupit.
”Autobusi me numër 70 në Batincë të Shkupit e ka këtë orare sipas të cilit duhet të vij thuajse në çdo orë por sipas banorëve përveç se ka vonesa ka edhe rrëmujë në autobusin i cili nuk vjen i rregullt.”
Banorët kërkojnë zgjidhje tash e sa kohë ndërsa thonë se deri tani vonesat dhe rrëmuja e transportit publik nuk është zgjidhur.
”Transporti nuk është i rregullt. Problemi më i madh është tek nxënësit që nuk arrijnë në kohë në shkollë. Por edhe për të punësuarit edhe pse ata kanë vetura dhe gjejnë zgjidhje por problemi më i madh është për nxënësit.” – Banor i Batincës.
”Autobusët janë katastrofë, ato që vijnë për në Batincë. Problemi është më së shumti për nxënësit dhe të punësuarit që shkojnë herët në punë. Kanë edhe defekte rrugës dhe ndalesa e sidomos në rrugën që punohet për në Shkup – Draçevë edhe aty vonesa e pastaj dalin probleme përse nuk arrijnë në kohë në punë apo tjera. Këto janë probleme që duhet të zgjidhen.” – tha një tjetër banor.
Nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik nuk morëm përgjigje lidhur me atë se kur do të tejkalohen vonesat dhe do të normalizohet transporti publik në Batincë. Deri atëherë, banorët thonë se mbeten të detyruar të përshtaten me një problem që ndikon drejtpërdrejt në jetën e tyre të përditshme. Vonesa dhe me mungesë të transportit publik të Shkupit ka edhe neper disa fshatra tjerë të Shkupit. /Alsat.mk








