Banorët e Gradecit në Vrapçisht ankohen për prerjen e pakontrolluar të malit të tyre

Banorët e Gradecit në Vrapçisht ankohen për prerjen e pakontrolluar të malit të tyre

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Tani disa ditë mbi fshatin Gradec të komunës së Vrapçishtit po masakrohen pyjet, përkatësisht pishat e mbjella nga vet banorët. Banorët e Gradecit janë ankuar se po rrezikohet fshati, si në aspektin e ajrit të pastër, po ashtu edhe në aspektin e sigurisë nga vërshime që e mbrojnë këto drunj. Në rast se nuk ndërpritet kjo masakër që i bëhet pyjeve, banorët do të dalin në protesta.

“Kërkohet me çdo kusht të ndërpritet prerja dhe mos të bëhet, se këto janë mushkëritë e fshatit ajri i pastër i yni. Në pjesën tjetër të fshatit në të zezë kanë prerë rreth 60 bredha, dhe ne e denoncuam por nuk dalin edhe në terren ta shohin çka ka ndodh. Kjo ka ndodhur para dhjetë ditësh dhe ende thonë rasti po hetohet”, tha Zemri Hasani – B.L. Gradec.

“Ne këto i kemi edhe mbrojtje të fshatit, sepse fshatin tonë e kanë përmbyt ujërat më herët dhe këto i kemi si mbrojtje. Andaj, kërkojmë ndihmë nga gjitha institucionet fshatarët që ta ndalojmë këtë, dhe jemi të gatshëm deri në fund të luftojmë ta mbrojmë këtë pasuri të fshatit”.

“Nëse i presin ne do dalim, dhe do i mbrojmë, mali është ynë dhe do e mbrojmë. Askush s`na ka informuar asgjë, tani e kuptuam dhe do dalim ta mbrojmë”.

Nga drejtoria e pyjeve të Maqedonisë së Veriut prerja e pishave e arsyetojnë si masë për parandalimin e një sëmundjeje të pemëve.

“Është e vërtetë se në Gradec kemi bërë kontroll të rregullt dhe të jashtëzakonshëm dhe është konstatuar se ka pasur zjarre në atë pjesë dhe në atë pjesë trungjet janë të djegura në zonën 121 dhe 122 B nëse nuk gabohem, dhe janë afro 300 trungje, por njëkohësisht është konstatuar edhe nga ekspertët se është përhapur një sëmundje fito patologjike dhe normal ata duhet të priten”, tha Berat Dehari, zv. drejtor i Pyjeve të Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, siç mëson televizioni Alsat, kjo prerje po bëhet për një kompani nga fshati Senakos, e cila, pishat e prera po i përdor për prodhim të peletave. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button