Gazetare: Melihate Rustemi
Banorët e Jurumlerit ku edhe gjendet shkolla fillore “”Njegosh” kanë qëndrime të ndara nëse 13 fëmijët e Idrizovës duhet të mësojnë shqip në këtë shkollë, nga klasa e gjashtë e deri atë të nëntë. Një pjesë e tyre vlerësojnë se shkolla nuk ka hapësirë prandaj paralelja nuk mund të hapet ndërkohë që një pjesë tjetër është e mendimit se shkolla është e mjaftueshme edhe për nxënësit shqiptarë.
“Nuk ka hapësirë, shkolla është e vogël, fëmijët e mësimit tërë ditor nuk kanë ku të qëndrojnë. Nëse përmirësohet diçka pastaj mundet. Ne nuk jemi kundër sepse mësim shqip deri në klasën e katërt ka prej vitesh. Ne nuk jemi kundër paraleles, problemi është se nuk ka kapacitet, nuk hapësirë. Shkolla është e tillë që nuk ka vend përndryshe askush nuk është kundër”.
“Po, ka hapësirë. Ata tashmë disa vjet po kërkojnë megjithatë asgjë nuk u zgjidh. Madje, ata kërkojnë që edhe në Idrizovë të hapet por nuk ka asgjë. Ka hapësirë dhe mund të hapet për shqiptarët. Idrizova është larg, prej atje vijnë në Koloni prandaj kërkojnë që të hapet këtu, mësim shqip deri në klasën e nëntë”.
Shumë banorë të tjerë kërkojnë që paraprakisht të rikonstruohet objekti shkollor dhe më pas të nisin procedurat për hapjen e paraleles për klasën e gjashtë.
“Ka shumë fëmijë, mendoj se nuk ka vend, është e stërngarkuar. Ky është mendimi im personal, këtu edhe unë kam mësuar, vërtet është shumë tollovi. Mua nuk më pengon, të bëhet ashtu si vendosin por mendoj se është e stërngarkuar. Rreth 60 fëmijë ka në qëndrim ditor, jo, nuk ka vend, nga të gjitha vendbanimet janë mbledhur këtu”.
“Duhet të hapet por nuk ka hapësirë, unë tashmë 40 vjet jetoj Jurumleri, shkolla është rregulluar vetëm nga jashtë, asgjë tjetër nuk kanë bërë. Fillimisht duhet të rikonstruohet sepse 50 ose 60 fëmijë në një klasë nuk mund të qëndrojnë. Pushteti ta rregulloj, të bëj ndërtim shtesë pastaj mundet, kështu nuk ka hapësirë, ku?”
Një ditë më parë, ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se deri të premten, pritet të marr një epilog përfundimtar rasti me 13 nxënësit shqiptarë të Idrizovës. Sipas Shaqirit, epilogu përfundimtar do të varet nga vendimi i Inspektoratit të Arsimit që këtyre ditëve duhet ti dorëzohet dikasterit të Arsimit. 13 nxënësit shqiptar akoma nuk kanë nisur klasën e gjashtë në vitin e ri shkollor për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të Komunës Gazi Babë nuk realizohet mësimi shqip nga klasa e gjashtë deri atë të nëntë. Komuna e Gazi Babës zgjidhjen e problemit e sheh në ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë dhe përkohësisht organizimin e transportit falas për në shkollën fillore të fshatit “Ognjancë” të komunës Petrovec. /Alsat.mk








