Banorët e Lubotenit pa shërbime shëndetësore
Banorët e Lubotenit pa shërbime shëndetësore
Gazetar: Melihate Rustemi
Në fshatin Luboten të Komunës së Butelit më shumë se një dekadë qëndron e mbyllur ambulanca publike. Shërbimet shëndetësore, banorët janë të detyruar t’i kërkojnë dhe t’i marrin në ambulancat dhe klinikat e Shkupit ku tashmë edhe kanë zgjedhur mjekët familjarë. Përveç ambulancës banorët thanë se kanë shumë nevojë edhe për barnatore.
“Shumë keq kur s’ka, kur ka ambulancë më mirë është, po edhe barnatore të ketë edhe ambulancë, pse të shkojmë ne në Shkup lart e poshtë, shpresojmë të bëhet”, tha një banor.
Në mungesë të ambulancës, Shtëpia e Shëndetit Shkup ka nisur një aksion për t’ju ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë shëndetësore banorëve, veçanërisht atyre që nuk kanë mundësi të bëjnë kontrolle të rregullta. Një personel mjekësor qëndroi në këtë fshat ku realizoi kontrollet bazë dhe orientoi pacientët drejt institucioneve tjera shëndetësore varësisht problemeve që identifikuan.
“Shtypjen e mata edhe gjakun e dhash për analiza. Si e kishe shtypjen? Më tha lart por unë rregullisht e kam kështu. Kanë ndërmarrë shumë aktivitet të mirë sepse ka dikush që nuk mundet me shkuar ose nuk shkon ndërsa këtu e ka afër dhe I bën të gjitha analizat”, shtoi një tjetër.
Nga Shtëpia e Shëndetit Publik thanë se ambulanca publike në fshat do të funksionojë së shpejti sapo të kenë përfunduar procedurat që kanë të bëjnë me atë nëse do të ndërtohet objekt I ri ose do të vendoset modular.
“Objekti modular që është në Butel, po punojmë në atë drejtim që atë objekt ta sjellim këtu në Luboten që banorët e fshatit Luboten të kenë qasje më afër te shërbimet mjekësore. Presim që pas zgjedhjeve kjo procedurë të kryhet dhe të vendoset a do e sjellim modularen këtu apo do të ndërtojmë objektin e ri. Ky aktivitet do të zgjasë, nuk do të jetë vetëm këtë javë apo siç disa pretendojnë se është shkaku I zgjedhjeve por kjo do të vazhdoj derisa të rrëgullohet çështja e ambulancës në Luboten”, tha Samir Iseni, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit Publik.
Sipas Isenit, ekipi mjekësor do ta vizitoj këtë fshat një herë në javë dhe do të kryej shërbimet shëndetësore bazë./Alsat.mk








