Banorët në afërsi të Bit Pazarit ankohen për problemet e shumta infrastrukturore

Banorët në afërsi të Bit Pazarit ankohen për problemet e shumta infrastrukturore

Gazetare: Ajnur Bafqari

Rrugë me gropa, deponi në afërsi, mbeturina jashtë deponisë, erë e keqe si dhe vërshim të rrugëve në rast të reshjeve të shiut…

Kjo është gjendja e rrugës “Azem Hajdari” në Bit Pazar të Shkupit. Banorët por edhe pronarët e dyqaneve në këtë rrethinë ankohen se funksionimi i tyre rëndohet shumë çdoherë që ka reshje të shiut. Thonë se prej kësaj deponie uji përfundon në rrugë dhe rrezikon shëndetin e tyre, ndërsa gjendja bëhet edhe më keq pas mbylljes së tregut, pasi aty mblidhen shumë mbeturina. Banorët nuk e dinë se në pronësi të kujt është kjo deponi dhe nuk e dinë ku të drejtohen për përgjegjësi.

“Brenda ka mbeturina, mbeturinat dalin këtu kur bie shi, nuk mund të dalim me fëmijët… Jetoj këtu afër 20 metra më tej, nuk mund të dal më nipërit këtu… U sëmurëm prej kësaj, ja unë vi prej në mjek… Bën çfarë të dojë, nuk e di kush duhet ta bëjë këtë, nëse duhet ta bëjë pazari apo Qyteti I Shkupit, ose të vendosim ne një rampë ta bllokojmë rrugën që të mos mund të futen…. Thonë se është private, e kujt është, gjysma është private, gjysma e pazarit…”.

“Kur bie shi këtu mbushet me ujë, mbushet dhe nuk mund të kalojnë këtu… Ka probleme këtu me këto mbeturinat, i lënë këtu, nuk vjen kush që të mbledh, tash kompetencat a janë të Higjienës Komunale apo tjetërkujt nuk e dimë ne.”
Banorët thonë se disa herë janë drejtuar tek komuna e Çairit, por problemit të tyre nuk po i gjendet zgjidhje. Përveç kësaj thonë se kjo rrugë është lënë në harresë dhe tashmë një kohë për mirëmbajtjen e saj kujdesen vet ata.

“Gropat i keni parë si janë, jam paraqit në komunë, komuna më thotë ty mos të interesojë kjo punë. Drita 5 vite nuk ka, 368 denarë na marrin në muaj, u paraqita, një idiot I komunës së Çairit më tha mbylle këtë numër dhe harroje këtë numër. Kam qenë atje askush nuk merr masa… Zgjedhje ka me pas, me zgjedhje do t’i dënojmë ata..”

“Për këto gropat që ishin këtu, vetë kam punuar, vetë I kam mbush, është një papastërti shumë e keqe e shihni vetë, mundohemi ne vetë ta bëjmë…Edhe kerrat I thyejnë këtu, kamioni që i bie mbeturinat, atë pllakën e them, këtë këtu e prish, edhe kerrat po i shkatërrojnë të gjithë këtu.”

As nga Komuna e Çairit dhe as nga Higjiena Komunale nuk u përgjigjën as lidhur me pronësinë e deponisë e as lidhur me pretendimet e qytetarëve se kjo rrugë nuk pastrohet dhe as nëse do të ndërmerren masat e nevojshme për riparimin e rrugës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button