Barrikadat në veri, lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe 10 të dyshuar të tjerë

Barrikadat në veri, lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për Radoiçiqin dhe 10 të dyshuar të tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për lëshimin e një letër-rreshtimi vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq, në kuadër të hetimeve që lidhen me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në vitin 2022.

Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga Arbnora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale, e cila ka njoftuar se përveç Radoiçiqit janë lëshuar urdhërarreste edhe për dhjetë persona të tjerë të dyshuar në këtë rast.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radoiçiq. Përveç Radoiçiq, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, ka thënë Luta.

Hetimet lidhen me rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore të Kosovës në vitin 2022, dhe sipas Prokurorisë, ky rast ka përmasa të mëdha.

“Duke u hetuar mund të konfirmojmë se janë rreth 50 persona, për veprat penale: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”,thuhet më tej në përgjigjen nga Prokuroria Speciale.

Prokuroria ka shtuar se rasti aktualisht është në fazën e hetimeve dhe se për veprimet tjera publiku do të njoftohet me kohë.

“Duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, tha Luta.

LEXO EDHE:

Back to top button