Bashkim Selmani:Për realizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk ka asnjë pengesë ligjore

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Për realizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në pjesën teorike dhe praktike nuk ka asnjë pengesë ligjore, procedurale apo akademike. Kështu vlerëson profesori universitar Bashkim Selmani. Ai thotë se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por edhe praktikë e zakonshme.

“Kur zhvilloj provime me studentë nga bashkësi të ndryshme, fillimisht pyes sa studentë e ndjekin procesin në gjuhën maqedonase dhe sa në gjuhën shqipe. Studentët përgjigjen në gjuhën e tyre, ndërsa administrimi dhe procedura e provimit organizohen pa asnjë problem. Kjo dëshmon se bashkëjetesa e gjuhëve në procesin akademik është jo vetëm e mundur, por edhe praktikë e zakonshme. Prandaj, i bëj thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë që të njëjtin parim ta zbatojnë edhe në provimin e jurisprudencës”, deklaroi profesori Bashkim Selmani.

Sa herë ngritët nisma për të drejtat e shqiptarëve, ngrihen dilema të panevojshme juridike dhe kërkohen interpretime shtesë nga institucionet e ndërkombëtare, tha Selmani i cili potencoi se, të drejtat e qytetarëve duhet të jenë sikurse obligimet e shtetit.

“Tjetër rast është Ligji i përfaqësimit të drejtë ku do shihni se edhe këtu është mënjanuar 20 për qindëshi, dhe që është më shqetësuese, por ne si qytetarë jemi taksa pagues njëqind për qind andaj dhe kërkojmë të drejta të plota dhe të barabarta”, tha Bashkim Selmani, Profesor Universitar.

Me qëllim sensibilizimin e opinionit dhe politikës për zgjidhjen e çështjes së provimit të jurisprudencës, profesori universitar Bashkim Selmani paralajmëroi se konferenca të ngjashme do të mbajë edhe në të ardhmen. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button