BB: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut me rimëkëmbje të shpejtë ekonomike

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore (BB), ekonomitë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po rimëkëmben më shpejt se sa pritej, pas krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Këto tre vende nuk janë përjashtim në Ballkanin Perëndimor, pasi i tërë rajoni po kthehet nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19 e vitit 2020.

– Shqipëria

Pas tkurrjes së ekonomisë me 4 për qind gjatë vitit 2020, për vitin 2021 parashikohet që rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri të shkojë në 7,2 për qind, thuhet në botimin e fundit të raportit periodik ekonomik për Ballkanin Perëndimor të prezantuar online.

“Gjatë vitit 2021 ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja inkurajuese të rimëkëmbjes”, u shpreh gjatë prezantimit të raportit, Emanuel Salinas, menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka mundësi të forcojë qëndrueshmërinë e modelit të saj ekonomik dhe të zbatojë reformat që do të mbështetin më tej rritjen gjithëpërfshirëse e të qëndrueshme, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik.

“Kjo rimëkëmbje e fortë mbështetet kryesisht te konsumi, turizmi dhe ndërtimi. Në vijim, pritet që rritja të jetë në nivel mesatar prej 3,8 për qind për vitin 2022 dhe 3,7 për qind për vitin 2023. Në fund të vitit 2021, parashikohet që niveli i varfërisë në Shqipëri të bjerë në nivelin e para pandemisë. Punësimi dhe pjesëmarrja e forcës së punës janë po ashtu drejt rimëkëmbjes, edhe pse me ngadalësi”, theksohet në raport.

Sipas raportit, rajoni i Ballkanit Perëndimor është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme, me një rritje të PBB-së që parashikohet të arrijë në 5,9 për qind për 2021.

– Kosova

Raporti i BB-së për Kosovën thotë se në vitin 2021 PBB-në do të tejkalojë nivelet e vitit 2019 deri në fund të vitit, por rreziqet për parashikimin mbeten të larta pasi vendi vazhdon të përballet me pandeminë.

Aktiviteti ekonomik në vitin 2021 pritet të zgjerohet me 7.1 për qind pas një rikthimi më të fortë sesa pritej në vizitat e diasporës, rikthimin e besimit të konsumatorëve dhe rritjen e kredive për konsum, bëhet e ditur tutje në raport.

Raporti thekson se të hyrat publike po përjetojnë një rikthim të paparë për shkak të aktivitetit më të lartë ekonomik, por edhe për shkak të inflacionit më të lartë dhe masave të përmbushjes tatimore, ku si rezultat i kësaj, deficiti fiskal pritet të ulet në 2021.

Menaxheri i vendit i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci tha se në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ekonomitë por rimëkëmben më shpejtë se sa është parashikuar.

“Duhet të krijohet një shtytje për më shumë mundësi ekonomike, me politika dhe investime që fokusohen në reforma afatgjata për të transformuar rrënjësisht modelin e rritjes së Kosovës në një model që krijon vende të punës duke u udhëhequr nga produktiviteti më i lartë”, tha Paolucci, duke theksuar se thirrja e njëjtë vlen për gjithë rajonin.

Rritja në rajon parashikohet të arrijë 4.1 për qind në 2022 dhe 3.8 për qind në 2023. Norma e varfërisë për rajonin parashikohet t’i rikthehet trendit të saj para-pandemik me rënie dhe të bie me rreth 1 pikë përqindjeje në 20.3 për qind, afër nivelit të vitit 2019.

– Maqedonia e Veriut

Maqedonia e Veriut nuk është përjashtim në Ballkanin Perëndimor, pasi i tërë rajoni po kthehet nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19 e vitit 2020, falë një rimëkëmbjeje më të shpejtë se sa pritej në vitin 2021.

“Ky opinion pozitiv për Maqedoninë e Veriut është ende i rrethuar nga rreziqe negative, me ritmin e imunizimit të ulët dhe zinxhirët e furnizimit që janë ende të ndërprerë, ndërsa kushtet financiare kanë filluar të shtrëngohen”, tha menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci.

Në raport theksohet se tregu i punës kërkon vëmendje, pasi humbjet e vendeve të punës nga recesioni kanë prekur në mënyrë disproporcionale gratë dhe të rinjtë, duke rritur papunësinë e të rinjve në 37,7 për qind në 2021.

Gjithashtu, nga BB theksojnë se Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të duhet të përqendrohen në krijimin e vendeve të punës dhe transformimin ekonomik, përfshirë tranzicionin e gjelbër.

BB vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfitonin nga reformat në mjedisin e biznesit, qeverisjen dhe digjitalizimin, të cilat mund të kontribuojnë në mbylljen e hendekut me vendet e BE-së.

Gjithashtu, theksohet se menaxhimi efektiv i tranzicionit të gjelbër, duke përfshirë edhe shkëmbimet e shumta të politikave, do të duhet të jetë një fokus kryesor i vëmendjes së politikave për Ballkanin Perëndimor në vitet në vazhdim./AA/

LEXO EDHE:

Back to top button