BDI-ja hedh poshtë pretendimet e VMRO-së që ndonjë deputet i saj të ketë kërkuar para në këmbim të votës për ndryshimet kushtetuese

BDI-ja hedh poshtë pretendimet e VMRO-së që ndonjë deputet i saj të ketë kërkuar para në këmbim të votës për ndryshimet kushtetuese

Gazetar: Ardit Ramadani

Rruga drejt sigurimit të 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese të kushtëzuara nga Bullgaria duket të jetë e vështirë dhe e mbushur me akuza nga më të ndryshmet mes pozitës dhe opozitës ndërkaq sa më shumë i afrohemi afatit përfundimtar për votimin e tyre, aq më të përçarë duken përfaqësuesit e partive në shtëpinë ligjvënëse.

Nga VMRO-ja për ALSAT thanë se janë të orientuar nga Evropa, por sipas tyre, jo nga ajo Evropë e “paramenduar” nga Grubi përmes së cilës fshihen “krimet” e këtij të fundit, pyetën Grubin se sa para ka kërkuar një deputet i BDI-së për të votuar këto ndryshime kushtetuese?

“BDI-ja ka të drejtë vetë për diçka, se grupi parlamentar i VMRO DPMNE-së është i orientuar nga Evropa, por jo do të thotë e kundërta e asaj të cilën e paramendon Grubi. Orientimi evropian në BDI ka të bëje me krimet e Artan Grubit në vlerë prej 22 milion eurove, lokali i vëllait prej 700 euro m2 dhe pagesat prej një milion eurove. Në qoftë se mendon në kësisoj orientimi evropian atëherë i themi se asnjëherë nuk do ta kemi, por e kundërta luftojmë që të gjithë të përgjigjen për krimet e realizuara. Përveç kësaj, i themi BDI-së të deklaroje se sa para ka kërkuar deputeti i tyre që të votojë për ndryshimet kushtetuese?”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

BDI-ja përsëriti qëndrim se deputetë të VMRO-së do të votojnë ndryshimet kushtetuese. Akuzave se deputet të kësaj partie kanë kërkuar para në këmbim të votimit të ndryshimeve, Grubi iu përgjigjet kështu.

“Nuk besoj që ka deputet shqiptar i cili do të kishte kërkuar çfarëdo favori për të integruar vendin në Bashkimin Evropian”, theksoi Artan Grubi, BDI.

Në një vijë janë edhe nga LSDM-ja. Për Darko Kaevskin akuzat e vazhdueshme të VMRO-së janë tentativë për shmangur faktin që edhe në partinë e Mickovskit, ka zëra që mbështesin këto ndryshime.

“Mickovski tenton që përmes spineve dhe kumtesave të rreme të tërheqë presionin që e ka nga përkrahësit e tij dhe deputet në VMRO DPMNE të cilët janë të bindur se rruga e vetme e këtij shteti është Bashkimi Evropian dhe se ndryshimet kushtetuese duhet patjetër të ndodhin. Besoj që kur kjo procedurë do të hyjë në parlament do të bindeni që të gjithë deputetët e shumicës parlamentare, përfshirë këtu edhe një numër të madh të deputetëve nga opozita, do të jenë PËR ndryshimet kushtetuese”, theksoi Darko Kaevski, LSDM.

Nëse partitë nuk gjejnë gjuhë të përbashkët dhe ndryshimet kushtetuese nuk bëhen deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i vendit do të bllokohet përsëri. Ky obligim për autoritetet vendase parashihet me marrëveshjen që njihet si “propozim francez”./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button