BDI-ja nuk komenton zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, partitë e tjera kritikuan procedurën
BDI-ja nuk komenton zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, partitë e tjera kritikuan procedurën
Për të dytën ditë me radhë BDI-ja nuk komenton zhvillimet në Këshillin gjyqësor, gjegjësisht, shkarkimin e kryetares së Këshillit Vesna Dameva me një procedurë të kontestuar, dhe siç e quajti ajo, jashtëligjore. Nga BDI-ja as sot nuk u përgjigjën në pyetjet e Alsat.
Pyetjet dërguar BDI-së
• Znj. Dameva pretendon se është shkarkuar me porosi nga politika. A ka ndikuar dikush nga BDI-ja për shkarkimin e saj?
• Si e vlerësoni shkarkimin e saj në një atmosferë të tensionuar dhe me shkelje procedurash?
Përveç BDI-së, partitë e tjera më të mëdha kritikuan atmosferën në të cilën u zhvillua procesi i shkarkimit të Damevës. Vetë ajo gjatë ditës së shkarkimit tha se vendimi ishte i porositur nga politika. Në vend që të shkarkonin gjykatësin Enver Bexheti, dy ditë më parë, anëtarët e Këshillit gjyqësor, shumica prej të cilëve nga radhët e BDI-së dhe VMRO-së, me puç shkarkuan kryetaren e Këshillit Vesna Damevën. Në një situatë të orkestruar nënkryetari i Këshillit Selim Ademi, një ish zyrtar i lartë i BDI-së, inicioi shkarkimin e Damevës për të mos mbërritur tek shkarkimi i Bexhetit që ishte pika e shtatë e rendit të ditës.
“Ky vendim është i kundërligjshëm, por është evidente që duhet t’i përmbushni dëshirat e dikujt. Vendimi sillet në këtë mënyrë, në prezencë të kryetarit të Këshillit Gjyqësor, me votim nga 7 anëtarë pa pasur paraprakisht bazë për shkarkimin e kryetares të Këshillit gjyqësorë. S’ka as vota të mjaftueshme me të cilat sillen vendimi. Nënkryetari e merr të drejtën të konstatojë pushim të funksionit të kryetares”, tha Vesna Dameva, Këshilli Gjyqësorë.
Nënkryetari Selim Ademi, ish zyrtar i BDI-së, është në këtë funksion tash 10 vite. Ai në dhjetor kishte votuar që Vesna Dameva të bëhet kryetare e Këshillit gjyqësor, ndërsa në ditën e shkarkimit lëshoi një sërë akuzash ndaj saj dhe pasi kjo e fundit nuk pranoi të japë dorëheqje, ai me ndihmë të kolegëve Milazim Mustafa, Mirsad Surroi, Hanif Zendeli, Loreta Georgieva, Pavllina Cërvenkovska dhe Sasho Georgievski e shkarkuan atë. /Alsat.mk








