Rama i përgjigjet Vuçiqit: Serbia e ka humbur Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndërhyrë në debatin mes Tiranës dhe Beogradit lidhur me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Rama tha se çështja ka të bëjë me ujërat ndërkufitare dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Sipas tij, lumi Ibër do të vazhdojë të rrjedhë sipas gjeografisë dhe jo folklorit.

“Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një vend tjetër ndalen në mënyrë magjike në kufirin serb. Në fund të fundit, kjo është arsyeja pse ekziston ligji ndërkombëtar i ujit”, shkroi Rama.

Rama gjithashtu deklaroi se Serbia e ka humbur Kosovën dhe se territori i Republikës së Kosovës, bashkë me burimet natyrore brenda tij, nuk i përkasin Serbisë. Ai ka hedhur poshtë pretendimet për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe”, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se nuk i nevojitet një projekt i tillë për ta mbështetur Kosovën.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe as nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar me Kosovën. Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne gjithmonë do të qëndrojmë me këtë të drejtë”, ka shkruar Rama.

Debati mbi lumin Ibër nisi dy ditë më parë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti qëndrimin e tij – të disa viteve më parë – për mundësinë e ndryshimit të kahut të Ibrit, duke thënë se tashmë kanë nisur konsultimet me ekspertë të fushës. Deklaratat e tij u kundërshtuan nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi idenë si “absurde”, “kërcënuese” dhe “shoviniste”.

Edhe ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi duke thënë se ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujor ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme e një shteti dhe as të vendoset në mënyrë të njëanshme.

Ndaj tij reagoi Gjuriq, i cili akuzoi tha se Serbia, si shtet sovran, do të vendosë vetë për mënyrën e menaxhimit të burimeve të saj natyrore.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button