BE-ja e shqetësuar për tensionet në Malin e Zi
Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për situatën në Mal të Zi, pas trazirave që shpërthyen atje me rastin e shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije. Në reagimin e BE-së kërkohet përmbajte dhe hetime për dhunën. “Zhvillimet në Mal të Zi janë tejet shqetësuese. Cilido përdorim i forcës duhet të jetë i matur dhe proporcional në secilin moment. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe presim nga organet kompetente që të hetojnë dhe sigurojnë proces të duhur gjyqësor për rastet e dhunës, si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj zyrtarëve të rendit”, tha BE-ja. Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, u shugurua të dielën në Cetinë të Malit të Zi. Shugurimi në Cetinë shkaktoi tensione të larta midis qytetarëve malazezë dhe serbë të Malit të Zi. Ngjarja u përcoll me disa incidente, dhjetëra të plagosur dhe angazhimin e forcave të shumta policore.








