BE-ja nuk arrin marrëveshje për çmimin e gazit

BE-ja nuk arrin marrëveshje për çmimin e gazit

Ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për vendosjen e një çmimi tavan të gazit për ta zbutur krizën e energjisë në Evropë, mes përçarjeve të thella mbi propozimin fillestar të cilin disa e vlerësuan si “qesharak”. Ministrat do të takohen sërish në dhjetor në përpjekje për të tejkaluar këto përçarje, tha ministri çek i Industrisë, Jozef Sikela, vendi i të cilit aktualisht udhëheq presidencën e BE-së.

Ai shtoi se ministrat arritën të miratojnë disa “masa të tjera të rëndësishme”, përfshirë blerjet e përbashkëta të gazit për të shmangur rritjen e çmimeve nga konkurrenca brenda BE-së dhe përshpejtimin e autorizimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Disa ministra që morën pjesë në takimin e së enjtes u ankuan se propozimi për çmimin tavan të gazit, i publikuar nga Komisioni Evropian vetëm para dy ditësh, ishte krijuar me synimin të mos përdorej kurrë. Ministrat polakë dhe spanjollë të energjisë e quajtën propozimin “qesharak”.

Ministri grek i Energjisë, Kostas Skrekas, tha se çmimi i vendosur “në fakt,nuk është një çmim tavan” dhe shtoi se “ne po humbim kohë të vlefshme pa rezultate”. Plani i vendosjes së çmimit tavan, për të cilin komisioni nuk ishte asnjëherë shumë i interesuar, vendos një çmim maksimal prej 275 eurosh për megavat në orë. Por, këtij çmimi i bashkëngjiten shumë kushte saqë nuk do të ishte aktivizuar as në gusht, kur çmimi i gazit u rrit përkohësisht mbi 300 euro, duke alarmuar Evropën e mësuar me çmime sa 10 për qind e asaj shifre.

Ulja e çmimit të gazit rus

Propozimi do të aktivizohej vetëm nëse çmimi maksimal prej 275 euro do të kalohej vazhdimisht për të paktën dy javë, dhe pastaj vetëm nëse çmimi për gazin natyror të lëngshëm (LNG) ngrihet mbi 58 euro për dhjetë ditë brenda asaj periudhë dyjavore.

Çmimi i gazit me shumicë në Evropë, të enjten ishte rreth 124 euro.

Propozimi i komisionit u pa si propozim neutral i formuluar nën presionin e anëtarëve, si Gjermania dhe Holanda, të cilat kishin frikë se vendosja e çmimit tavan mund t’i dërgonte furnizimet me gaz në tregje më fitimprurëse, veçanërisht në Azi. Megjithatë, të paktën 15 vende të BE-së, më shumë se gjysma e bllokut evropian, e kërkonin çmimin tavan në mënyrë që të zbutet kriza e furnizimit shkaku i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Përderisa Bashkimi Evropian nuk e ka ndaluar gazin rus, Kremlini e ka ndalur eksportin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura nga Brukseli. Para luftës, furnizimet me gaz rus përbënin më shumë se 40 për qind të të gjithë gazit të importuar në Bashkimin Evropian. Ky furnizim tani ka rënë në më pak se 10 për qind./REL

LEXO EDHE:

Back to top button