BE: Kina nuk mund ta mbështesë ushtarakisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia

BE: Kina nuk mund ta mbështesë ushtarakisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell tha të martën se udhëheqësit evropianë po i dërgojnë një mesazh Kinës se ajo nuk mund të mbështesë ushtarakisht agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Duke folur në Bruksel, ku po takohen ministrat e jashtëm të NATO-s dhe përpara vizitës së tij javën e ardhshme në Kinë, zoti Borrell tha se BE-ja ka qenë “e qartë me Kinën se pozicioni i saj ndaj mizorive dhe krimeve të luftës të Rusisë do të përcaktojë marrëdhëniet tona me Pekinin”.

Ai tha se udhëheqës të tjerë të BE-së që vizitojnë Kinën, përfshirë Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin francez Emmanuel Macron sjellin të njëjtin mesazh.

Zoti Borrell iu drejtua gazetarëve së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se do të fokusohej në reduktimin e mëtejshëm të varësisë së Evropës nga furnizimet ruse të energjisë dhe në rritjen e prodhimit të energjisë së pastër.

Të dy diplomatët morrën pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s, ku aleanca zyrtarisht mirëpriti Finlandën si anëtare të re.

Ngritja e flamurit të Finlandës në selinë e NATO-s vjen më pak se një vit pasi vendi paraqiti kërkesën në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës. Ceremonia përkon me 74 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Uashingtonit më 4 prill 1949, që themeloi NATO-n.

Rusia paralajmëroi të hënën se do të përforcojë forcat pranë Finlandës nëse NATO dërgonte trupa, ose pajisje shtesë në Finlandë.

LEXO EDHE:

Back to top button