BE: Liberalizimi i vizave për Kosovën jo më vonë se fundi i vitit 2023

BE: Liberalizimi i vizave për Kosovën jo më vonë se fundi i vitit 2023

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të lëvizjes pa viza do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023.

Vendimi i ri, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, është formalizuar pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së, takim që u mbajt të enjten. Ky propozim është një kompromis mes kërkesës së Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), edhe pse shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy tema të mos lidhen, ose së paku të ketë një datë të prerë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.

Sipas diplomatëve të BE-së kjo do të thotë se liberalizimi mund të nisë më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë nis edhe funksionimi i ETIAS-it. Por, nëse ky sistem nuk do të jetë i gatshëm apo nuk do të nisë që të zbatohet, atëherë liberalizimi i vizave gjithsesi do të nisë më së voni më 1 dhjetor të vitit 2023.

LEXO EDHE:

Back to top button