BE: Rritje e ndjeshme e azilkërkuesve nga Afganistani
Në muajin nëntor, rreth 71 400 kërkesa për azil u dorëzuan në zyrat e vendeve të Bashkimit Evropian, një rritje prej 9% krahasuar me tetorin dhe niveli i dytë më i lartë që nga kriza e refugjatëve e vitit 2016, deklaruan autoritet.
”Afganët përbënin grupin më të madh të aplikimeve me rreth 13 000, ndërsa aplikimet e refugjatëve sirianë ishin në kuotën 11 500”, deklaroi Agjencia e BE-së për Azilin (EUAA).
Po ashtu EUAA regjistroi edhe 4 300 migrantë nga Iraku, gati një e treta më shumë se në muajin tetor.
Rritje të konsiderueshme u regjistrua edhe për venezuelasit, pakistanezët dhe kolumbianët.
Afganët paraqitën numrin e dytë më të madh të aplikimeve që nga viti 2016, menjëherë pasi talebanët morën pushtetin.
Tërheqja kaotike e SHBA dhe aleatëve të saj në gusht shkaktoi një eksod ndërsa njerëzit u përpoqën të iknin, nga frika e shtypjes dhe reprezaljeve.
Që atëherë, ekonomia afgane është shembur dhe miliona njerëz janë zhvendosur.
Për zyrat e BE-së mbetet ende një boshllëk i konsiderueshëm midis numrit të aplikimeve dhe numrit të rasteve të trajtuara, me 431 000 raste ende në pritje të një vendimi.
EUAA mbulon 27 shtetet anëtare të BE-së plus Norvegjinë dhe Zvicrën.







