Bekteshi: Ndihma evropiane do të shfrytëzohet për zbutjen e krizës

Bekteshi: Ndihma evropiane do të shfrytëzohet për zbutjen e krizës

Gazetar: Adnan Qaili

Vendi ynë do të merr ndihmë nga Bashkimi Evropain diçka më pak se çereku i buxhetit të paraparë për masat anti-krizë. Prej 360 milion eurove të paralajmëruara për zbutjen e krizës nga qeveria, Komisioni Evropian tani më ka ndarë 80 milionë euro grant për Maqedoninë e Veriut, të cilat do të mund të merren nga Janari 2023. Por, për ti marr këto, resori ekonomik duhet të hartojë një plan se ku saktë do të shfrytëzohen këto para. Nga Ministria Ekonomisë thonë se lehtësisht ua kanë gjetur vendin. Ministri Kreshnik Bekteshi deklaroi se kanë dorëzuar propozimin tek organet kompetente të BE-së dhe presin miratimin e tyre për ndihmën urgjente buxhetore anti-krizë.

“Dje janë dorëzuar propozimet tona tek Komisioni Evropian, deri nesër do të kemi përgjigje nga ta. Kryesisht do të destinohen për mbështetje të kategorive më të prekura të qytetarëve si dhe ndihmë e drejtpërdrejtë tek kompanitë e vogla deri në fund të gjendjes së krizës, e cila është shpallur deri në fund të muajit prill të vitit të ardhshëm”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Gjithashtu, gjatë vizitës në Shkup Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Von der Lajen tha se janë paraparë 1 miliard euro për gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor për ta pavarësuar atë nga burimet e energjisë nga Rusia. Ajo tha se paratë e BE-së do të mësojnë vendet e Ballkanit si të shfrytëzojnë burimet natyrore ekologjike për të prodhuar vetë rrymën që e harxhojnë. Kreu i KE-së tha se kjo shumë do të shpërndahet në gjashtë shtetet e rajonit në mënyrë ekuivalente, të cilat do të destinohen për investime në kapacitetet për energji të rinovueshme. Me afër 1/6 e kësaj shumë për efikasitet energjetik në Maqedoni parashikohet të zhvillohet me ndërtimin e qendrave fotovoltaike, prodhim të rrymës me panele diellore si dhe centralet me erë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button