Miliona njerëz në ankth pasi Kina mbyll përsëri një pjesë të Wuhanit

Miliona njerëz në ankth pasi Kina mbyll përsëri një pjesë të Wuhanit

Qytetet kineze nga Wuhan në Kinën qendrore deri në Xining në veri-perëndim po dyfishojnë masat për të frenuar përhapjen e COVID-19, duke bërë që miliona njerëz të jenë në ankth.

Kjo pasi që, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Kina raportoi të enjten një ditë të tretë radhazi me më shumë se 1,000 raste të reja me COVID-19 në mbarë vendin.

Ky nuk ishte numër i madh krahasuar me dhjetëra mijëra në ditë që e dërguan Shangain në një bllokim të plotë në fillim të këtij viti, por mjaftueshëm për të shkaktuar më shumë frenime dhe kufizime në të gjithë vendin.

Wuhan, vendi i shpërthimit të parë të COVID-19 në botë në fund të vitit 2019, raportoi rreth 20 deri në 25 infeksione të reja në ditë këtë javë.

Qyteti ka regjistruar 240 raste gjatë 14 ditëve të fundit dhe autoritetet lokale urdhëruan më shumë se 800,000 njerëz në një rreth të qëndrojnë në shtëpi deri më 30 tetor.

Wuhan gjithashtu pezulloi shitjen e mishit të derrit në pjesë të qytetit, sipas imazheve dhe postimeve në mediat sociale, pasi autoritetet thanë se një rast COVID-19 ishte i lidhur me zinxhirin lokal të furnizimit të derrit.

Ndërkohë Guangzhou, qyteti i katërt më i madh i Kinës për nga prodhimi ekonomik dhe kryeqyteti provincial i Guangdong, të enjten mbylli më shumë rrugë dhe lagje dhe mbajti njerëzit në shtëpitë e tyre pasi zonat e reja u konsideruan me rrezik të lartë në “një rigjallërim të COVID-19” që ka vazhduar në javën e tij të katërt.

Ndërsa në Xining, kryeqyteti i provincës Qinghai, postimet e mediave sociale treguan për mungesat e ushqimit dhe inflacionin e çmimeve për mallrat thelbësore, ndërsa autoritetet shëndetësore në qytetin me 2.5 milionë njerëz u përpoqën të frenonin një rikthim të COVID-it pas festës njëjavore të Ditës Kombëtare në fillim të tetorit.

“Për të zvogëluar rrezikun e transmetimit, disa dyqane perimesh dhe frutash janë mbyllur dhe janë vënë në karantinë”, ka thënë një zyrtar i qeverisë Xining të mërkurën.

Ngarkesa e shkaktuar nga rastet e coronavirusit në Kinë ka mbetur e vogël sipas standardeve globale, por masat e saj ultra të rrepta të kontrollit kundër variantit shumë të transmetueshëm Omicron kanë rënduar rëndë ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe kanë tronditur tregjet financiare.

Siç vë në pah The Guardian, qytete të tjera të mëdha në të gjithë Kinën, përfshirë Datong dhe Xi’an, kanë zbatuar kufizime të reja këtë javë për të frenuar shpërthimet lokale.

Në Pekin, “Universal Resort” u mbyll të mërkurën pasi të paktën një vizitor rezultoi pozitiv me coronavirus.

Në Zhengzhou, pati një shpërthim në një fabrikë që punëson rreth 300,000 njerëz dhe njihet si prodhuesi më i madh i iPhone-ve në botë.

Foxconn Technology Group, e cila drejton objektin, e pranoi shpërthimin të mërkurën, por tha se “operimi dhe prodhimi … është relativisht i qëndrueshëm”.

Kina është zotuar vazhdimisht se do t’i përmbahet përgjigjes së saj me tolerancë zero ndaj COVID-19 dhe do të zbatojë ato që autoritetet thonë se janë masat e nevojshme për të parandaluar virusin.

LEXO EDHE:

Back to top button