Qeveria do të subvencionojë energjinë elektrike për këta prodhues

Qeveria do të subvencionojë energjinë elektrike për këta prodhues

Gazetar: Ile Petrevski

Qeveria do t’i japë energji të lirë elektrike industrisë ushqimore, por pa precizuar se sa duhet të ulen çmimet e ushqimeve.

Çmimi i energjisë elektrike që do të përdoret nga fabrikat që prodhojnë vaj, qumësht, produkte qumështi si dhe në industrinë e bukës do të jetë më pak se 100 euro për megavat orë, që aktualisht është dy herë më i ulët se çmimi me të cilin shitet ne bursa.

Kur Alsat pyeti se sa u kanë thënë autoritetet biznesmenëve të ulin çmimet e produkteve të tyre, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se shpreson që tregtarët do të ulin çmimet.

“Për sa i përket inputit të energjisë elektrike do të jetë dy herë më i ulët se sa është aktualisht dhe sipas atij formulimi do të ulen çmimet e ushqimeve me shumë gjasa”, tha Kreshnik Bekteshi Ministër i Ekonomisë.

Nëse nuk ulen çmimet, atëherë ministri thotë se shteti ka mekanizëm për ta rregulluar këtë çështje. Sektori i biznesit thotë se me këtë masë çmimet e ushqimeve do të mund të ulen për 10 për qind, respektivisht kaq do të ishte ndikimi i çmimit të lirë të energjisë elektrike në produktin final.

Sipas prodhuesve të ushqimeve bazë, janë lëndët e para që kanë pasur ndikim të madh në çmimin e produkteve ushqimore bazë.

“Duhet më shumë hapa, prandaj thashë, ky është hap i rëndësishëm i Ministrisë së Ekonomisë që do të kontribuojë në uljen e çmimeve. Shifrat për të cilat do të zvogëlohen janë këto, për më tej, pra për një ulje më të madhe duhet të ndërmerren hapa të tjerë në të ardhmen”, u shpreh Goran Georgievski  kryetar i Odës së Agro-Biznesit.

Njoftimet fillestare ishin se ky çmim prej njëqind euro për megavat orë për prodhuesit ushqimorë do të jetë i vlefshëm nga 1 dhjetori, por qeveria do të vendosë për çmimin përfundimtar të energjisë elektrike nesër në mbledhje.

Ndryshe, vendi ka inflacionin më të lartë krahasuar me vendet e rajonit. Rritja e kostos së jetesës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar është rritur për 20 për qind./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button