Berisha e Meta as që mendojnë të dorëhiqen, justifikuan humbjen duke thënë se zgjedhjet u blenë

Berisha e Meta as që mendojnë të dorëhiqen, justifikuan humbjen duke thënë se zgjedhjet u blenë

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Pësuan debakël në zgjedhjet vendore në Shqipëri, por dy drejtuesit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Sali Berisha e Ilir Meta as që mendojnë të dorëhiqen. Ata justifikojnë humbjen në zgjedhjet vendore. Berisha e Meta pretendojnë se zgjedhjet u blenë me qindra miliona euro.

“Në verën e vitit 1991 unë kam bërë një betim me veten time. Cili ka qenë ai betim? Ai betim ka qenë që zgjedhjet e para të lira që do të humbas do të largohem nga politika, ka qenë betim dhe unë i qëndroj betimit. Absolutisht në rastin e parë që ka ndodh në 2013 unë kam thënë good bye. Ndërkohë janë humbur zgjedhjet por janë mbrojtur votat kam përmbys me komunitetin ndërkombëtar një palë zgjedhje siç dihet në 2001. Pra në këtë klontekst të harroj kush se unë mund të tërhiqem përveç se nga vota e demokratëve, nga ndonjë faktor tjetër para krimit monstruoz elektoral. Asnjë presion, asnjë formë, përkundrazi vetëm sa më shtojnë motivet”, deklaroi Sali Berisha, koalicioni Bashkë Fitojmë.

Ilir Meta i cili i shkoi në zyrë Sali Berishës tre ditë pas zgjedhjeve paralajmëron përshkallëzim të veprimit opozitar në këshillat bashkiake.

“I gjithë ky shkatërrim dhe tjetërsimit të votës po dokumentohet dhe do të fillojë procesi i kontestimit ligjor dhe përshkallëzimit të veprimit opozitar në emër të mbrojtjes së votës së lirë dhe ju e dini se pavarësisht tjetërsimit të botës së nëndheshme me mbrojtjen e policisë, sërish një gjë është e qartë, gomarët që u imponoi Rama nuk do të vjedhin më të qetë sikurse bënë në 4 vite. Përshkallëzimi i aksionit opozitar në këshillat bashkiakë dhe rikthim i transparencës do të njihet menjëherë”, tha Ilir Meta, Kryetar i Partisë së Lirisë.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtuar nga Ilir Meta pësoi një humbje të thellë, duke fituar vetëm 7 bashki të vogla, ndërkohë që edhe në Këshillat Bashkiak, nuk arritën në asnjë bashki të kryesojnë. Ndërkohë Partia Socialiste e Edi Ramës e cila e vetme garoi në zgjedhje fitoi në 53 bashki. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button