Bërnabiç: Nuk ka vend në UNESCO për të ashtuquajturin shtet të Kosovës
Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç ka qënë pjesë e debatit plenar ditën e sotme në sesionin e 41-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në Paris.
Sipas Tanjug, ajo ka thënë se depolitizimi i UNESCO-s është politikë e Serbisë dhe temë vendimtare për vendin, që do të thotë se nuk ka vend në organizatë për të ashtuquajturin shtet të vetëshpallur të Kosovës. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve Bërnabiç tha se UNESCO ishte një organizatë që merret me çështje që nuk kishin lidhje me politikën, por me arsimin, kulturën, shkencën dhe çështje të tjera të ngjashme.
“Kur themi depolitizim, qëndrojmë në qëndrimin se nuk ka vend në UNESCO për të ashtuquajturin shtet të Kosovës. UNESCO nuk është vendi ku ka vend për diskutime nëse Kosova, e cila nuk ka ulëse në OKB dhe nuk njihet nga më shumë se gjysma e vendeve (anëtare të OKB-së), duhet të jetë anëtare e asaj organizate”, tha Bërnabiç, duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO nuk ishte dhe nuk duhet të jetë temë.
“Kur them depolitizim, të gjithë e dinë se çfarë do të thotë kjo. Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay gjithashtu ka thënë se ajo nuk dëshiron politizim gjatë mandatit të saj. Gjërat mund të bëhen më të vështira pasi SHBA të kthehet në UNESCO, por puna e Serbisë është të punojë në mënyrë proaktive për këtë çështje dhe të këmbëngulë për depolitizimin” shtoi Brnabiç.
Ajo tha nëse diçka e tillë do të ndodhte, do të hapte kutinë e Pandorës dhe kjo do të thoshte se UNESCO po merret me disa çështje të tjera dhe njerëzit që janë sot në UNESCO e dinë që kjo nuk është e drejtë.








