“Besa Trans”, gjykimi vazhdon me 4 prill
“Besa Trans”, gjykimi vazhdon me 4 prill

Gjykata Penale e Shkupit, për më 4 prill ka caktuar seancë gjyqësore për lëndën “Besa Trans”, në të cilën Bekim Haxhiu si pronar dhe përfaqësuesi i subjektit juridik sërish do të ulet në bankën e të akuzuarve, pasi Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit të kaluar i pranoi ankesat e mbrojtjes dhe e ktheu lëndën në rigjykim para shkallës së parë. Lënda, nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me shkaqet e aksidentit të autobusit të Besa Trans më 23 nëntor të vitit 2021 në Bullgari, ku mbetën të vdekur 45 persona, por me falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar. Sipas vendimit të shkallës së parë, të cilin tanimë e ka rrëzuar Apeli, Haxhiu, përmes shoferëve që drejtonin autobusin ka përdorur certifikatë licence të rrejshme, që nuk e ka lëshuar Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me të njëjtën, mbi 20 herë ka kaluar kufirin e shtetit. Megjithatë, mbrojtja ka mohuar se ka bërë falsifikim të certifikatës së licencës, pasi sipas tyre për të pasur falsifikim, duhet që dikush të krijojë një dokument të rrejshëm, që sipas tyre në këtë rast, nuk ka ndodhur. /Alsat.mk