Besimtarët myslimanë nesër festojnë Bajramin, qytetarët i bënë përgatitjet e fundit

Pas një muaji agjërim, nesër besimtarët mysliman festojnë Fitër Bajramin, ndërsa atmosfera festive ndjehej që sot. Shumica e qytetarëve përgatitjet i kishin lënë për ditën e fundit. Në hapësirat e ngushta mes tezgave të perimeve në tregjet e gjelbra herë pas here krijohej rrëmujë. Të gjithë nxitonin të blinin ushqimet apo produktet që u mungonin që tavolina e tyre nesër të ketë bollëk. Me shumë qese në duar shkonin nga njëri tregtar tek tjetri për të gjetur çmimin dhe cilësinë më të mirë. Sipas tyre, sot çmimet ishin më të ulëta se gjatë Muajit të Ramazanit.

“Disa i bleva, disa do t’i blej më vonë. Më lirë, i paskan zbritur pak, ndoshta për shkak të Bajramit, pasi gjatë Ramazanit kanë qenë më shtrenjtë.
Për fëmijët a keni blerë për t’i qerasur?
Po po kemi blerë llokume, çokollata, kemi blere bonbona. Na vjen keq që po na shkon Ramazani. Kemi kaluar shumë mirë, Zoti jua pranoftë atyre që kanë agjëruar”.

“Kadaif, sfungjerë, krembanane, bonbone për fëmijët. Nuk i shoh asnjëherë çmimet vetëm blej atë që më nevojitet.
A ndjeni atmosferë Bajrami?
Po, si jo. Kush ka agjëruar e ndjen gëzimin”

“Tani mirë ishin çmimet. Specat kanë qenë 120 denarë, tani ishin 70-60 denarë”.

“E shohim që paskeni blerë edhe peta, do të bëni bakllava?- Sigurisht që po”.
Çmimet si ju duken këtë Bajram?- Mirë janë, çmime të volitshme, nuk janë të larta”

Të tjerë sot ditën ua dedikonin fëmijëve. Të vegjlit sot zgjidhnin rrobat më të bukura, të cilat do t’i veshin nesër kur të shkojnë tek fqinjët dhe të afërmit e tyre për Bajram. Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit besimtarët do të mund të festojnë më tradicionalisht festën e Fitër Bajramit, pasi institucionet sollën vendim që sonte të mos ketë orë policore deri nesër në mesnatë.

Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button