Biden kërkon përgjegjësi për vrasjen e shtetases amerikane në Bregun Perëndimor

Biden kërkon përgjegjësi për vrasjen e shtetases amerikane në Bregun Perëndimor

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se Izraeli duhet të bëjë më shumë për të garantuar se incidentet si ai i vrasjes së një shtetase amerikane gjatë një proteste kundër zgjerimit të vendbanimeve, nuk do të ndodhin kurrë më.

Ai tha se vrasja e Aysenur Ezgi Eygi, 26-vjeçare, është “plotësisht e papranueshme”.

Në një komunikatë, Biden tha se, derisa Izraeli e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e saj, Qeveria amerikane pret qasje të vazhdueshme në hetimet që janë duke u kryer për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së saj.

“Duhet të ketë përgjegjësi të plotë. Dhe Izraeli duhet të bëjë më shumë për t’u siguruar se incidentet e tilla nuk do të ndodhin kurrë më”, tha Biden.

Eygi, e cila ka edhe shtetësi turke, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga ushtria izraelite gjatë një marshi protestues të premten në Beita, një fshat afër Nablusit, ku palestinezët janë sulmuar vazhdimisht nga kolonët hebraikë të ekstremit të djathtë.

Izraeli ka thënë se vrasja e saj ishte “aksidentale”.

Bideni gjithashtu e dënoi dhunën në Bregun e uzurpuar Perëndimor nga “kolonët ekstremistë izraelitë” dhe “terroristët palestinezë”.

“Do të vazhdoj t’i përkrah politikat që i mbajnë përgjegjës të gjithë ekstremistët – izraelitë dhe palestinezë pa dallim – për shkak të shkaktimit të dhunës dhe pengesave ndaj paqes”, tha Biden.

LEXO EDHE:

Back to top button