Biden: Varianti i ri, shqetësim por jo panik
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden e quajti variantin e ri të koronavirusit të njohur si Omicron një shkak për shqetësim, por “jo një shkak për panik”. Biden deklaroi kështu të hënën duke thënë se nuk po e konsideronte vendosjen e masave të gjëra bllokuese në SHBA.
Ai u kërkoi përsëri amerikanëve që të vaksinohen plotësisht, duke përfshirë vaksinat përforcuese si dhe i luti ata që të vendosin maskat në ambiente të brendshme dhe të jashtme.
Duke folur të hënën në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se është e pashmangshme që varianti i ri të arrijë në SHBA, por ai gjithashtu tha se vendi ka mjetet e nevojshme për të mbrojtur amerikanët – veçanërisht vaksinat e miratuara si dhe vaksinat përforcuese.
Kur të mbërrijë Omicron, dhe do të ndodhë, tha Biden, Amerika do të “përballet me këtë kërcënim të ri ashtu siç jemi përballur me ata që i kanë dalë më parë”, raporton AP.
Ai u bëri thirrje rreth 80 milionë amerikanëve të pavaksinuar të moshës 5 vjeç e lart që të marrin vaksinat e tyre si dhe ftoi amerikanët të marrin dozën e tretë përforcuese të vaksinës.
Presidentit Biden iu bashkua eksperti kryesor i vendit për sëmundjet infektive dhe këshilltari i tij kundër COVID-19, Anthony Fauci, i cili tha më herët të hënën se shkencëtarët shpresojnë të dinë brenda një jave apo dy se sa mbrojnë vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 ndaj variantit të ri, që po përshkruhet si më i rrezikshëm dhe më shpejt i transmetueshëm.








